Brazili u ka kërkuar grave të ‘shtyjnë shtatzëninë’ derisa të qetësohet pandemia Covid-19, duke përmendur kërcënimin e një varianti të koronavirusit që ka goditur vendin.
Midis varianteve të reja dhe rreziqeve të vaksinës, tani nuk është një kohë e mirë për të pritur fëmijë, ka thënë një zyrtar shëndetësor.
“Nëse është e mundur, shtyjeni pak shtatzëninë deri në një çast më të mirë”, tha zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë, Raphael Parente, gjatë një konference për shtyp, duke paralajmëruar se varianti P1 i koronavirusit të përhapur në Brazil ‘vepron më agresivisht tek gratë shtatzëna’.
Brazili është bërë një nga epiqendrat e koronavirusit në botë kohët e fundit, me 13.7 milionë raste të regjistruara Covid-19 dhe 365,000 viktima, numri i dytë më i lartë në botë pas SHBA-së.
Dyfish alarmant është numri i lartë i foshnjave që vdesin nga Covid-19 në Brazil. Midis 518 dhe 1,032 foshnje nën një vjeç kanë vdekur me virusin që nga shkurti i vitit të kaluar, sipas vlerësimeve të ndryshme të mbledhura nga BBC.