Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme ndodhet në Gjirokastër nga ku përpara mbështetësve të tij nuk ka lënë pa hedhur shigjeta ndaj dy forcave kundërshtare.
Rama këtë herë është bërë supersticioz duke hapur “letrat e fallit” dhe përkatësisht me numrat e PD-së dhe LSI-së në fletën e votimit. Sipas tij 69 simbolizon numrat e djallit dhe nëse merr njërën automatikisht ke marrë tjetrën.
“Sonte në darkë do të më shikoni tek Fevziu i vërtetë. Është djali i xhaxhait të tij, por ky i ka marrë studion, ky tjetri sonte, por i vërteti është ky sonte. Aty takova një fallxhore dhe pas emisionit më tha fallxhorja, ça bën që i thua Lulit ndahu. Si të ndahet Luli tha. I thashë çfarë po më thua. Ore ngele duke thënë ndahu, ua ke parë numrat ti. Çfarë numrash i thashë dhe më dha letrat. Tha po ça numri është ky? 6 i thashë. Jo tha është 9. Ça numri është ky? Se ty të kemi dhe mësuese matematike (6,9). Të kuptoj tha, s’ke faj ti. Edhe ty të kuptoj. Prandaj edhe ngaqë nuk i ka dhënë dum kësaj pune njerëzimi, ka rënë dakord që ky është numri i djallit, 69. Vajte tek 6, 9-ën ke, vajte tek 9, 6 ke.
More 69-ën të mori djalli dhe të çoi në djall. Prit se nuk kam mbaruar. Unë jam i bindur, jam i sigurt që ju që jeni aty keni ardhur nga Kuçi. Dhe unë ju dua kaq shumë juve kuçiotëve, ju dua kaq shumë ju tepelenasve, kurveleshasve, lebërve, e di pse ju dua unë juve pa fund, se ju ia fusni shkurt fare. I fusni 12 dhe nuk merreni as me 6 as me 9. Ju e keni 1,2, 12 mirupafshim. Më tha dëgjo, se i thashë e bukur ishte kjo si lojë fjalësh por ç’lidhje ka shorti. Shorti, shorti tha, po ti e di nuk janë as 6, as 9, janë ata të dy. Derri maç. Njëri me kokë lart, tjetri me kokë poshtë. I kthejmë kështu Iliri poshtë, Saliu lart. Saliu poshtë, Iliri lartë. Kështu që kush voton 6 dhe 9, derrin maç ka. Derrin maç ka. Të gjithë atyre që po na ndjekin, se janë shumë që po na ndjekin, i bëj thirrje të gjithë socialistëve që në këto kushte të jenë prezentë në këto takime, jo fizikisht por përmes ‘Facebook’, duke filluar nga ata në Shkodër, demokratëve të Shkodrës iu them derrin maç keni pasur 30 vjet, derrin maç do keni po nuk votuat PS dhe të gjithë ata që besojnë dhe të gjithë ata që do votojnë për premtimet e Lulit pas zgjedhjeve, derrin maç do kenë”- tha Rama.