Pas dy javësh në Shqipëri do të zgjidhet Parlamenti i ri. Këto kohë, këtij vendi të varfër i duhet të luftojë me gjithë ato kriza. Krahas pandemisë së koronës dhe pasojave të tërmetit të para një viti, vendin e ka mbërthyer edhe korrupsioni.
Shkëlzen Ibra punon si mjek i mushkërive në Krumë dhe ndien mbi të gjitha që administrimi është si njëfarë administrimi me mungesa. Spitali i provincës mezi sa siguron furmizimin me oksigjen për rreth 20.000 njerëz. Një katastrofë në këtë krizë kovidi. Janë të detyruar edhe t’i kthejnë pacientët në shtëpi, pasi nganjëherë nuk kanë ç’të bëjnë.
“Kërkojmë më shumë. Ka pasur ditë që kemi pasur 12 pacientë që kishin nevojë për oksigjen dhe nuk u jepnim dot. U ka rënë të fikët nga mungesa e oksigjenit.”
Që Kruma dhe zona rreth e rrotull është kaq e keqfurnizuar është në njëfarë mënyre faj i qeverisë. Të rinjtë emigrojnë për të fituar para diku gjetkë. Kruma është e varfër, kryeqyteti është larg.
“Për politikanët kjo zonë është vetëm për të marrë vota për zgjedhje”, – kështu thotë edhe Muhamet Peka që sapo ka kaluar kovidin, “Politikanët premtojnë shumë e bëjnë pak. Këtë e vërtetova pasi më ndodhi kjo (pasi më zuri sëmundja). Asnjë ministër nuk ka ardhur të na shikojë se çfarë bëjmë, vijnë vetëm sa për të na u lutur për vota që të vijnë në pushtet.”
Zgjedhje në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama do që të zgjidhet përsëri. Për pyetjet e intervistës sonë nuk marrim përgjigje. Me sa duket iu druhet pyetjeve rreth menaxhimit të kovidit dhe kritikave ndërkombëtarë për projektet e dyshimta të ndërtimit dhe korrupsionin në qeverinë e tij.
Sektori i ndërtimit në Tiranë ka një bum të madh, i vetmi si i tillë në këtë krizë ekonomike, por shumë kulla me zyra janë bosh. Gazetarja Ornela Liperi ka bërë shumë kërkime rreth kësaj. Ajo thotë se këto ndërtime, kështu siç po ecin tani, justifikohen vetëm me pastrim parash, para droge.
Qeveria ndikon në këtë pike edhe për shkak të zgjedhjeve.
“Qeveria nuk ka treguar kurrë vullnet politik për të hetuar se nga vijnë këto para për investime ndërtimi. Gjithë këto leje ndërtimi, këto ndërtesa gjigante, na bëjnë të mendojmë se një pjesë e këtyre parave të pista shkon për zgjedhje.”
Kundër korrupsionit në qeveri, vitet e fundit ka pasur herë pas here protesta masive e megjithatë nuk i dihet nëse kjo qeveri do të shkarkohet për mungesë votash sipas analistit politik Mentor Kikia.
“Votuesve nuk u sjell gjë zëvendësimi i një qeverie të korruptuar me një tjetër të tillë. Shqiptarët kanë zgjedhur gjithmonë të keqen më të vogël dhe kjo ka sjellë gjithmonë po të njëjtin realitet.”
Një realitet varfërie dhe korrupsioni të ashpërsuar nga pandemia. Shqipëria dëshiron që një ditë të bëhet anëtare e BE-së, edhe pse shumë këtu shpresojnë që kjo të sjellë më shumë ndryshim sesa zgjedhjet e javës tjetër.
VINI RE: Ky përkthim është pronësi intelektuale e Syri e materiali pronësi intelektuale e ZDF