Kandidatja e PD-së në Tiranë, Albana Vokshi, është takuar me qytetarë të Kamzës që kanë votuar PS-në.
Ata i shprehën shqetësimet e vështirësitë me të cilat përballen dhe se janë të zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimeve të qeverisë Rama.
Demokratja nga ana e saj tha se kryeministri Rama e qeveria e tij nuk kanë mbajtur asnjë premtim.
“Në këto tetë vite nuk mbajtën asnjë premtim. Premtuan 300 mijë vende pune, por më thoni a ka marrë ndonjëri prej jush vend pune. Foli për shëndetësi falas dhe në fakt ju nuk keni marë as shërbim shëndetësor. Jeni futur në borxhe ose keni harxhuar të gjithë kursimet. A keni marrë arsim cilësor, e sigurt që jo. A ju janë ulur taksat? Përgjigja është vetëm JO. Para katër vjetësh erdhi me timon dhe me tepsi. Pa asnjë program dhe alternativë. Po sot keni parë ndonjë program të PS dhe Edi Ramës? A keni lexuar se çfarë premton ai për shëndetësinë? Kurrkund asgjë. A keni lexuar se çfarë premton për katër vitet e ardhshme për ekonominë, arsimin, bujqësinë? Asgjë.” – tha Vokshi.
Vokshi u bëri thirrje që të votojnë PD-në ë 25 prill për të sjellë ndryshimin e vendit dhe të së ardhmes së shqiptarëve.
Ajo theksoi se kryeministri Rama nuk e do mirëqenien e familjeve shqiptare dhe se nuk i respekton por përpiqet t’u blejë votën.
“Ai nuk do mirëqënien e familjeve tuaja. Nuk ju respekton si qytetarë të lirë. Ai mendon se ju e keni një çmim, se vota juaj ka një çmim dhe si shtet bandë del natën në errësirë duke hedhur asfalt elektoral, duke trokitur në shtëpi për të ofruar certifikata legalizimesh natën, duke ofruar vende pune një mujore, pasi pas zgjedhjeve do t’i hedhë prapë në rrugë, duke ofruar kuti me ndihma sepse aq vlen një votë për Edi Ramën. Ka vërsulur shtetin si bandë. Duam mbështetjen tuaj të votoni numrin 9, Partinë Demokratike. Kjo nuk është betejë mes të majtës dhe të djathtës. Nuk është mes socialistëve dhe demokratëve, as betejë mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Është betejë mes të mirës dhe të keqes, mes zhvillimit dhe prapambetjes. Mbylljani njëherë e mirë derën dështimit të Edi Ramës.” – shtoi Vokshi.