Kreu i PD-së e kryetarja e LSI-së janë takuar së bashku në lagjen Kombinat të Tiranës ku do takohen me banorët e zonës, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se koalicioni i ri qeverisës do jetë mes PD-së e LSI-së dhe se Rama po kërkon me çdo kusht të bëhet pjesë e qeverisjes por kjo nuk do ndodhë.
“Me siguri ju ka rënë në sy edhe ju që edhe Edi Rama e ka kuptuar, e ka mësuar tani që me 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes që do të formojmë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, një qeverisje të shpresës, një qeverisje e cila do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë, duke hapur brenda 100 ditëve të para negociatat. Një qeverisje e cila do të kthejë besimin tek ekonomia, tek punësimi dhe tek mirëqenia. Ndaj, le të vazhdojmë së bashku këto 7 ditë që kanë mbetur, maratonën e shqiptarëve të bashkuar për ndryshim sepse me 25 prill Rama humb, Shqipëria Fiton.” – tha Basha.