Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar dy partive kryesore, PS dhe PD që të heqin nga institucionet publike materialet propagandistike pasi kjo është e ndaluar me ligj.
Sipas KQZ, të dyja këto parti nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.
KQZ kërkon nga PD-ja heqjen e një materiali propagandistik në Universitetin Politeknik të Tiranës.
“Në zbatim të dispozitave ligjore dhe në respektim të rregullave dhe parimeve për zhvillimin e një fushate zgjedhore sipas standardeve të praktikave të mira në fushën e zgjedhjeve, kërkojmë heqjen e menjëhershme të materialit propagandistik të koalicionit ‘Partia Demokratike- Aleance per Ndryshim’ nga fasada e godinës se Universitetit Politeknik në Tiranë.”- shkruhet në kërkesën e KQZ-së drejtuar PD-së.
Ndërsa PS-së i kërkohet të heqë materialet propagandistike të fushatës që i ka shfaqur në Bashkinë e Gjirokastrës.
“Partitë politike duhet të zhvillojnë një fushatë zgjedhore të qetë, duke shmangur politikat e polarizimit dhe aktet denigruese ndaj kundërshtarëve duke treguar vetëpërmbajtje gjatë dhënies së mesazheve politike edhe nëpërmjet materialeve propagandistike. Duke marrë shkas nga fakti i bërë publik i afishimit se dy materialeve propagandistike elektorale në Bashkinë Gjirokaster ju kërkojmë të merren masat e menjëhershme për heqjen e tyre”- vijon kërkesa e KQZ-së.
KQZ thekson se ndalohet afishimi i materialeve propagandistike në: fasadat e godinave të banimit, institucionet publike apo ambientet rrethuese pranë e rreth tyre, brenda zonave rekreative, parqeve, në pemët e qytetit dhe në shtyllat e ndriçimit.