Vendosni fjalën kyçe....

Paloka denoncon në SPAK kandidatin për deputet të PS-së dhe një sërë drejtorësh në Durrës


Drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Durrësit, Edi Paloka, ka denoncuar sot me emra personat që janë përfshirë sipas tij në shitblerjen e votave.

Në një konferencë për mediat nga selia e degës lokale të PD-së në këtë qark, Paloka njoftoi se kanë çuar në SPAK deputetin aktual dhe kandidatin socialist Jurgis Çyrbja, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Çyrbja i cili është ish-drejtor i Hipotekës Durrës, akuzohet nga PD-ja për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone.

Në të njëjtën kohë, Çyrbja akuzohet se ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë çertifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.

Paloka tha se dokumentacioni i është dërguar SPAK-ut, ku është depozituar edhe një kallëzim penal për deputetin në fjalë.

Ai shton se po në SPAK, janë depozituar kallëzimet penale për drejtuesit e institucioneve vendore në Durrës që janë përfshirë në blerjen e votave, si dhe një seri shtetasitsh që duke shpërndarë para apo përmes kërcënimeve synojnë të tjetërsojnë vullnetin e votuesve.

Paloka i bën thirrje SPAK-ut, që të veprojë para zgjedhjeve të 25 prillit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *