Bashkia Berat ka reaguar për akuzat e PD-së se po përdor ndihmat shtetërore për qëllime elektorale.
Në një njoftim të sajin bashkia thotë se gjatë pandemisë ka organizuar ndarjen e pakove në ambiente të sallës së konferencave.
Me qëllim lirimin e sallës së konferencave baza materiale është transferuar në magazinat e Drejtorisë Arsimore.
Më tej ajo e quan tentativë për të penguar funksionimin e Bashkisë Berat dhe tregues të dëshpërimit të subjekteve politike.
“Bashkia Berat gjatë periudhës së pandemisë ka organizuar në ambientet e sallës së konferencave, mallra të ndryshëm për ndihmë ndaj familjeve të prekura nga pandemia. Si rrjedhojë e kërkesës së strukturave të Bashkisë Berat për të organizuar aktivitete me grupet e interesit duke respektuar masat anti COVID, ka lindur nevoja e transferimit të bazës materiale nga salla e konferencave në magazinat e Drejtorisë Arsimore. Strukturat e autorizuara kanë filluar zhvendosjen e këtyre materialeve në magazinat e përcaktuara.
Çdo tentative për të penguar funksionet e Bashkisë Berat tregon qartazi dëshpërimin e subjekteve politike të caktuara që kërkoj me çdo kusht të tensionojnë situatën dhe të njollosin qetësinë e zhvillimit të fushatës zgjedhore në qytetin e Beratit. Organet ligj-zbatuese duhen të ndjekin të gjitha hapat ligjore dhe ne garantojmë bashkëpunimin dhe transprencën maksimale në sqarimin e çdo akuze të motivuar nga verbëria politike”-njofton bashkia Berat.