Kandidati i PD-së në qarkun e Beratit, Tomor Alizoti ka bllokuar një fugon me pako nga rezerva shtetërore që sipas tij do shpërndahej përpara zgjedhjeve në këmbim të votave.
Furgoni është ndaluar nga përfaqësuesit e opozitës përpara magazinave të zyrave të arsimit të bashkisë Berat dhe është njoftuar policia. Pas hapjes së derës së fugonit është parë se ai ishte i tejmbushur me kuti ushqimore mbi të cilat shkruhej “Ndihma nga Rezervat e shtetit”. Në fugon, që prej ndalimit të tij e deri tani ndodhet edhe kryetarja e Rajonit Nr.2 Joana Melëngu e cila është njëkohësisht edhe anëtare e një prej KZAZ-ve në Berat.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po ushtron veprime për denoncimin e këtij rasti.
Alizoti ka deklaruar se ndihmat po ndahen nga Partia Socialiste për t’u blerë votat qytetarëve. Ai theksoi se të gjithë ata që prekin votën që është e shenjtë, do të përballen nesër përpara ligjit.
“Ne po bëjmë një fushatë të ndershme dhe kjo që po ndodh në Berat është jo vetëm turp por edhe krim elektoral”-ka thënë Alizoti.