Kreu i Kadastrës, Artan Lame, është shfaqur në një material audio duke këshilluar punonjësit e agjencisë që drejton që të mashtrojnë qytetarët që kanë aplikuar për leje legalizimi.
Në materialin audio të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, Lame dëgjohet teksa u thotë vartësve të tij që t’i mbajnë me premtime rreth 100 mijë qytetarë që kanë aplikuar për leje, në të kundërt ata mund të kalojnë në krahu e PD-së.
Hoxha shkruan në postimin e tij se teksa po afron dita e zgjedhjeve fushata po bëhet më e paskrupullt dhe e egër.
Ai shton në komentin e tij se Artan Lame, instrukton vartësit që të mashtrojnë 100 mijë qytetarë shqiptarë, duke thënë se ata që bëjnë namin janë patronazhistës e qeverisë.
Transkriptimi i audios ku flet kreu i Kadastrës, Artan Lame
Është bërë një takim për procesin e legalizimeve te kryeministri para rreth një muaji për legalizimet në vijim. Në këto 320 mijë objekte, që kanë bërë vetëdeklarim, pra që janë fizikisht dosje reale, janë mbyllur 150 që do të thotë se kanë mbetur 170 të tjera. Në këto 170 të tjera vetëm rreth 60, se sapo diskutonim që parë që kjo 60 mijëhe për sa kohë i mbyllim, vetëm rreth 60 mijë bëhen.
Të tjera janë të pabëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje, 100 mijë objektetë cilët ne me vetëdije do vazhdojmë t’i mbajmë se janë njerëz. Po i the që nuk bëhet ia hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër. Pra do vazhdojnë të trajtohen, do shikohet do të trajtojmë, do ta diskutojmë, do ta rishohim atë kur të rishihet legjislacioni.
Në momentin që ti shkon iu gërmon vetë tani dhe iu thua 100 mijë unë do i skualifikoj se nuk ju legalizohen, këta i ktheve në mall për palën tjetër. Atëherë u ra dakord që në këtë takim që logjika është që ne do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë. Pra do të vazhdojmë të bëjmë këtë 60 mijëshe dhe do vazhdojmë të mbajmë situatën varur sepse mund të ketë ndryshime ligjore nesër, sepse do ta rishohim edhe njëherë e kështu me radhë. Por kjo bën, ka bërë, bën dhe do bëjë që shumë nga këta tanët do të thonë më erdhën një herë, më erdhën dy herë pse s’ma bëni, më kanë ardhur në shtëpi, prapa kësaj të jeni të bindur që në shumicën, në shumë raste qëndron kjo arsyeja pra që neve nuk duam t’i themi që shtëpia jote nuk legalizohet dhe ti do prishesh.
Millosheviçi t’i thojë që ta legalizoj unë ai bëhet me Millosheviçin, në rregull. Se ka shtëpinë. Të jeni të qartë, kjo nuk përjashton faktin që ne po përgatisim nja 40 mijë objekte me bashkitë, kryesisht me bashkinë e Tiranës të cilat do i nxjerrim për skualifikim masiv. Edhe unë po të isha kandidat atje të nesërmen do veja t’i thoja që të gjithë juve ditën e parë pas zgjedhjeve do jeni të legalizuar, edhe ikën ata u bënë me atë. Natyrisht i intereson atij e ça është politika, ai thotë të shpëtoj shtëpinë.
…
“Sa më shumë afrohet 25 prilli, aq më e egër dhe e paskrupullt bëhet fushata zgjedhore…Me një fjalë, nga shitja e sapunit për djath, kemi evoluar në shitjen e sapunit për kaçkavall, po nga ai francezi ama. Ndërsa humbim kohë me “patronazhistet” e partisë, “patronazhistet” e vertete të qeverisë, po bëjnë kërdinë…Më poshtë keni një rregjistrim audio, sesi një nga agjensitë më të rëndësishme qeveritare, Agjensia Shtetërore e Kadastres, instruktohet qartësisht sesi duhet t’i manipulojë, mashtrojë, apo mbajë me shpresë të kotë, pronaret e afro 100 mije ndërtimeve pa leje, të cilet kane aplikuar për legalizim. Direktiva eshte e qarte, “nëse u themi që nuk legalizohen shtepite tuaja, i kemi hedhur direkt mish për top per kundërshtarin”…Prandaj duhet t’i mbajmë varur…Me një llogari të thjeshtë, 100 mijë ndërtime pa leje, janë minimalisht dy vota për shtëpi, ose 200 mijë vota në kuti, gati me shume se 20 mandate në parlamentin e ardhshem. Prandaj popull, qëndroni vigjilent deri të dielen…” – shkruan Hoxha në postimin e tij në Facebook.