Drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Korçës ka kallëzuar penalisht kryebashkiakët e Korçësm Maliqit e Devollit.
Sipas Braimllarit, ata kanë punësuar në institucionet që drejtojnë në kundërshtim me ligjin në funksionet publike pjesëtarë të krimit të organizuar e subjekte të OFL-së.
Po kështu zyrtari i LSI-së tha se ata janë frymëzuar në këtë veprimtari të paligjshme nga kandidati për deputet e ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
“Jemi në këtë komunikim me mediat për të kallëzuar penalisht Sotiraq Filon, kryetari i Bashkisë së Korçës, Gëzim Topçiu, kryetari i Bashkisë së Maliqit, Eduard Duro, kryetari i Bashkisë së Devollit, për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’ ‘përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike dhe zgjedhore’. Kallëzimi i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ose ndryshe SPAK. Këta drejtues institucionesh, të frymëzuar në mënyrë të paligjshme nga Niko Peleshi kanë emëruar shtetas në kundërshtim me ligjin, përdorin administratën publike në funksion të kandidatit të rilindjes në Korçë dhe të gjithë infrastrukturën e Bashkisë. Në kundërshtim me ligjin, këta drejtues kanë emëruar në funksionet publike pjesëtarë të krimit të organizuar dhe subjekte të OFL-së.” – tha ndër të tjera Braimllari në deklaratën e tij.