Ditën e djeshme u realizua fluturimi i parë në aeroportin e Kukësit, ku një avion i “AirAlbania”-s i ardhur nga Londra zbriti fillimisht në Rinas dhe më pas u ngrit për t’u ulur përsëri në Kukës.
Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në programin e tij televiziv “Opinion”, ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë Belinda Balluku ka treguar se kur ky aeroport do të nisë fluturimet ndërkombëtare direkte. Balluku tha se kjo do të bëhet më 17 qershor dhe se janë dy kompani ajrore të mëdha që kanë shprehur interes.
Balluku tha se në këto 54 ditë, kompanitë ajrore do të bëjnë testet e fluturimit.
Ministrja foli edhe për aeroportin e Vlorës, marrëveshja për të cilin firmoset paraditen e sotme. Ajo tha se ky aeroport do ta ketë pistën më të gjatë edhe se aeroporti i Rinasit, duke u bërë aeroporti më i madh në Shqipëri.
Ajo shpjegoi se ky aeroport është dizenjuar si një aeroport nga ku mund të ngrihen fluturime direkte transoqeanike.
PJESË NGA INTERVISTA
Fevziu: Ka një peceptim që projektet marrin hov gjithmonë në prag të zgjedhjeve, gjatë fushatës elektorale. Hidhen asphalt nëpër rrugë, projekteve u priten shiritat, edhe avionët ulen një javë përpara zgjedhjeve. Pyetja është: Po përdoret infrastruktura në fushatë elektorale?
Balluku: Sigurisht që jo sepse unë nuk e di se sim und të mendohet që një aeroport hapet për zgjedhje ndërkohë që duhen vite për tu ndërtuar. Pra kemi dy vite që punojmë për këtë aeroport. Datën e dorëzimit e ka patur në 24 Prill dhe është dorëzuar një javë përpara.
Fevziu: Por duket që nuk është bërë gati, duket sikur është bërë më shumë një ceremoni elektorale dhe më pas do të jetë gati për t’u…
Balluku: Jo absolutisht nuk është e vërtetë. Aeroporti është gati. Ka një shpallje, i cili është një publikim i cili duhet të rrijë 54 ditë i publikuar dhe pastaj për të nisur të gjitha këto operime.
Fevziu: A është i akredituar ky aeroport ndërkombëtarisht?
Balluku: Patjetër.
Fevziu: Po pse nuk u fluturua direkt nga Londra?
Balluku: Atëhere edhe njëherë, certifikata lëshohet nga Aviacioni Civil. Ka një certifikatë sepse askush nuk mund të ulë një avion pa të. Ai gjithmonë do të jetë i akredituar nga Aviacioni Civil i Shqipërisë. Nuk presim ndonjë çertifikatë tjetër nga ndonjë Aviacion tjetër.
Fevziu: Po kush e certifikon? Apo kompanitë vetë që vijnë?
Balluku: Atëhere, certifikohet nga Aviacioni Civil Shqiptar përmes inspektorëve të Aviacionit Civil. Certifikohet në disa fusha, siç janë operimet, pajisjet, siguria që është shumë e rëndësishme. Është aeroport i certifikuar, është aeroport ndërkombëtar dhe 54 ditë nga dita e djeshme kur është kryer fluturimi i parë, pra më 17 qershor, ky aeroport do të jetë i gatshëm për të bërë fluturime ndërkombëtare.
Fevziu: Në cilën datë?
Balluku: 17 qershor.
Fevziu: Ka kontraktuar ndonjë kompani ndërkombëtare që do të fluturojë aty apo aeroporti thjesht të hapë dyert e po u ul mirë, po s’u ul prap mirë?
Balluku: Zoti Fevziu të jeni i sigurt që çdo koncensionar ka interesin që të kontraktojë të gjitha kompanitë e mundshme botërore kështu që këto 54 ditë, janë 54 ditët që kompanitë ajrore të bëjnë testet e fluturimit.
Fevziu: E kanë shprehur interesin? Sa e kanë shprehur?
Balluku: Në dijeninë time dy kompani shumë të mëdhaja.
Fevziu: Të cilat mund të operojnë në aeroportin e Kukësit?
Balluku: Patjetër.
Fevziu: Zakonisht ka një praktikë në Shqipëri, që ka ndodhur me tunelet. Ka ndodhur me rrugët. Hapen pak para zgjedhjeve pastaj mbyllen prap për të vijuar punimet që zgjasin edhe ca muaj..
Balluku: Aeroporti nuk ka as edhe një punim për t’u kryer. Të gjitha kanë qenë të kolauduara dje. Nga ky moment koncensionari ka nisur marrëdhëniet komerciale me kompanitë ajrore që do të fluturojnë atje për të pasur një marrëdhënie të pastër tregtare midis dy palëve.
Fevziu: U duk si një gjë shumë e madhe ose të paktën të shitej si një gjë shumë e madhe edhe në fushatë elektorale. Në Kukës zonja Balluku kanë fluturuar edhe në kohën e mbretit Zog, në linjën Tiranë-Kukës. Nuk po them siç tha presidenti Meta kur ishte kryeministër, sepse në atë kohë është ulur dhe një avion i Emirateve të Bashkuara Arabe, në atë kohë kur pista u përgatit prej Emirateve.
Balluku: Atëhere ky aeroport është ndërtuar në kohën e Luftës së Kosovës, pikërisht për t’u ulur atje të gjithë avionët të cilët sillnin ndihma për refugjatët e Kosovës.
Fevziu: Refugjatët në Kukës, për shkak të mungesës së rrugës.
Balluku: Ky aeroport siç e dini të gjithë ka pasur një pistë të pafluturueshme për Aviacionin Civil, sepse ka disa kushte që duheshin përmbushur. Sigurisht nuk ka asnjë gjurmë nga aeroporti i mëparshëm sot në Kukës. Kemi një pistë e cila është 2.2, 2.3 kilometra. Pra komplet një gjatësi tjetër.
Fevziu: E ngjashme me të Rinasit si gjatësi.
Balluku: Pak a shumë. Rinasi është më e gjatë, është 2.8. Ndërkohë që kemi një terminal të bërë nga zero. Është hedhur poshtë terminali I vjetër dhe sigurisht ky aeroport është ndërtuar nga zero deri tek dita e djeshme. Edhe pse nuk u duk ajo dje ka qenë një ceremoni e vërtetë, ka qenë një moment i jashtëzakonshëm. Unë kam qenë në bord të atij avionic dhe kam parë të gjithë banorët e Kukësit duke nisur nga Prizreni pasi atje bëhet dhe një rrotullim. Pasi dhe për rrotullimin dje kam qenë shumë e habitur dje sepse ka patur pyetje se pse fluturoi me këtë rrotullim. Është një procedurë e cila do ndiqet çdo herë që do ulen avionët në Kukës, për shkak të korridorit të ajror.
Fevziu: Ju ishit në avion zonja Balluku, por çunat e Kukësit pse flisnin me theks vlonjat?
Balluku: Të them të drejtën unë po të isha në vendin e gazetarëve do kërkoja një listë të pasagjerëve dhe do i nxirrja çunat, se ishin të gjithë kuksian. Unë kalova dhe një test se ai që thoni ju që fliste si vlonjat më pyeste për lumenjt se ku ishim në cilin lumë dhe pastaj ngaqë unë nuk i njoh lumenjtë e Kukësit nga sipër, ai më thoshte vetë që këtu jemi në Shtinje, këtu jemi këtu e këtu atje…
Fevziu: Tani çunat e Kukësit ku i latë? Si do kthen ata apo do rrinë atje?
Balluku: Çunat e Kukësit i lamë atje sepse siç ka premtuar Kryeministri çunat e Kukësit do të votojnë për Partinë Demokratike.
Fevziu: Ata e kanë votën vetë, nuk besoj se i keni patur me patronazhim?
Balluku: Jo, ata besoj se nën patronazhimin tonë do të votojnë PD-në siç është premtuar.
Fevziu: Zonja Balluku a ka rentabilitet, po flas në aspektin ekonomik, një aeroport vetëm një orë e gjysmë nga Tirana. Pra brenda një distance që mund të lëvizësh lirshëm me makinë.
Balluku: Blendi më lejo të të them si një ekspert i fushës pasi unë vij nga Aviacioni dhe kam harxhuar vite në aviacion. Që ai aeroport jo vetëm do të jetë rentabël, por shumë rentabël.
I ofrohet një tregu prej 1 milionë pasagjerësh, sipas studimit të fizibilitetit.
Fevziu: Kush e ka bërë studimin?
Balluku: Studimi i fizibilitetit është bërë nga një kompani shumë e njohur Holandeze e quajtur “Nako”.
Fevziu: Ju përfshini edhe shqiptarët e Kosovës besoj?
Balluku: Patjetër. Kemi thënë nga fillimi që është një aeroport rajonal dhe jo vetëm një aeroport i shqiptarëve.
Fevziu: Dhe do të fillojnë fluturimet nga data 17 qershor?
Balluku: 17 qershor është në fnksion të plotë.
Fevziu: Rrezikojmë të dështojnë fluturimet dhe të mos ketë fluturime? Pra ta kemi bërë aeroportin për ta mbajtur me çelës?
Balluku: Absolutisht jo. Aeroporti është bërë nga koncesionari dhe në ekonominë e tregut të kapitalit, askush nuk hedh para pa qenë i sigurt që këto para do t’i kthehen kështu që të jeni të qetë për këtë.
Fevziu: Ndërkohë që firmoset marrëveshja edhe për aeroportin e Vlorës apo jo?
Balluku: Nesër në mëngjes në orën 10:00, nëse unë s’gabohem sepse nuk e kam axhendën përpara. Ne kemi momentin historic të firmosjes së kontratës mes shtetit dhe koncesionarit për aeroportin e Vlorës që është një konsorcium që e kemi bërë public.
Fevziu: Aeroporti i Vlorës me çfarë logjike është zonja Balluku, sepse është një orë ose më pak nga aeroporti i Rinasit? E kuptoj në Sarandë ku distanca është e largët. Por në Vlorë?
Balluku: Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti më i madh në vend.
Fevziu: Si më i madhi në vend?
Balluku: Më i madhi në vend. Duke qenë se është i dizenjuar për të pasur një pistë prej 3.2 kilometra, që do të jetë dhe pista më e gjatë në Republikën e Shqipërisë.
Fevziu: Po flasim si kapacitet pasagjerësh apo si hapësirë piste?
Balluku: Është dizenjuar si një aeroport nga ku mund të ngrihen fluturime direkte transoqeanike, pra i ofrohet një tregu tjetër dhe është një aeroport që do të furnizojë gjithë Jugun e Shqipërisë. Duke nisur nga Vlora por sigurisht edhe në zonën e Karavastasë dhe Divjakës, dhe duke përfunduar në Himarë, do të furnizojë të gjithë rivierën e Shqipërisë.
Fevziu: Divjaka e ka më kollaj të zbresë në Rinas sesa në Vlorë
Balluku: Vetë personalisht jam marrë me të gjitha distancat…
Fevziu: Për 10 minuta diferencë nuk ndërtohet një aeroport që kushton kush e di sa miliona euro.
Balluku: Por unë nuk thashë Blendi që e kemi ndërtuar për Divjakën.
Fevziu: Në Divjakë ju e dini ata ulen në rërë.
Balluku: Unë nuk e di që transoqeanikët ulen në rërë. Meqë thua ti, ndoshta.
Fevziu: Ulen ata të vegjlit po i keni parasysh.
Balluku: Jo nuk i kam parasysh. Unë kam parasysh planin dhe transoqeanikët që duhet të ulen në aeroportin e Vlorës. Unë kam parasysh…
Fevziu: Kush do fluturojë në aeroportin e Vlorës?
Balluku: Fillimisht do fluturojë AirAlbania. Do ta ketë bazën në Vlorë.
Fevziu: Nuk do fluturojë më nga Tirana?
Balluku: Do fluturojë edhe nga Kukësi madje, jo vetëm nga Tirana. Por do ta ketë bazën në Vlorë dhe Fan Noli i cili është avioni i cili do të fluturojë Tiranë-Nju Jork fillimisht, do të ngrihet nga Vlora.
Fevziu: Tiranë-Nju Jork, do të fluturojë nga Vlora?
Balluku: Patjetër.
Fevziu: Dhe kur pritet të fillojë?
Balluku: Në përfundim të aeroportit të Vlorës. Ne nesër firmosim kontratën. Kontrata ka 36 muaj.
Fevziu: Kjo linjë ndoshta do të fillonte më parë nga Tirana, më pas mund të shkonte në Vlorë.
Balluku: Atëhere, Tirana do të përmbushë kushtet e një piste e cila do të investohet. Me ndryshimin e kontratës, sigurisht kemi një angazhim financiar të mirëfilltë nga koncesionari i Tiranës, i cili duhet të zgjasë pistën me disa qindra metra, për të qenë konform të gjithave kushteve të fluturimit transoqeanike.
Fevziu: Dhe nga modeli 3D kur do bëhet aeroport Vlora tamam?
Balluku: Modeli 3D i Kukësit u bë për 24 muaj, kshu që tashmë ne flasim me fakte, nuk flasim më me premtime.
Fevziu: Për sa kohë mendoni ju?
Balluku: Vlora është 36 muaj në kontratë, kështu që unë besoj se në tre vite do të jetë operativ.