Presidenti i vendit, Ilir Meta ka shkuar mbrëmë të shohë në spital, sekretarin e Partisë Demokratike të Kavajës, Bledar Okshtuni, i cili u plagos ditën e djeshme.
Në një postim në“Facebook”, Meta ka ndarë disa foto nga ky takim ndërsa i uron Okshtunit shërim sa më të shpejtë dhe shpreh mbështetje për të dhe familjarët e tij.
Ai gjithashtu i bën thirrje Prokurorisë dhe Policisë që kjo ngjarje të hetohet sa më shpejt dhe që autorët dhe urdhëruesit e këtij krimi të arrestohen pa vonesë.
“Nuk mund të mos vizitoja në spitalin e Durrësit aktivistin e Partisë Demokratike, z.Bledar Okshtuni, të plagosur me armë zjarri brenda në zyrën elektorale në Kavajë.
I urova shërim sa më të shpejtë, si dhe i shpreha nënës dhe familjarëve të tij të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time.
I falënderova mjekët e Durrësit për profesionalizmin, përkushtimin dhe humanizmin e dëshmuar, që Bledari të ketë tashmë një gjendje të stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën.
U bëj thirrje Prokurorisë dhe Policisë, që ky krim i shëmtuar zgjedhor të hetohet me shpejtësi, si dhe autorët e urdhëruesit e këtij atentati të arrestohen pa vonesë dhe të dalin para drejtësisë.”- shkruan Meta.
Presidenti përmend edhe zgjedhjet duke thënë se vendi po shkon drejt referendumit të 25 Prillit për të rivendosur demokracinë dhe shtetin ligjor, për një Shqipëri të çliruar nga bandat dhe korrupsioni.
“Me qetësi dhe vendosmëri të shkojmë të gjithë drejt Referendumit të 25 Prillit për të rivendosur demokracinë dhe shtetin ligjor, për një Shqipëri të çliruar nga bandat dhe korrupsioni, ku vajzat dhe djemtë e nënave të dhembshura, të mos detyrohen të largohen, por të jetojnë të qetë dhe plot shpresë për të ardhmen e tyre në Atdheun tonë të dashur.
Mezi pres të takohem me Bledarin sapo ai të dalë nga spitali.”- shton ai.