Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dëshmisë së Ndriçim Jonuzit nga arratia, për plagosjen e sekretarit të PD-së në Kavajë, Bledar Okshtuni. Ngjarje që ndodhi një ditë më parë.
Rama shkruan në një postim në “Twitter” se autori, Ndriçim Jonuzi (Tahiri), nuk ka asnjë lidhje me Partinsë Socialiste, përkundrazi është një militant i Partisë Demokratike.
Ai shprehet se ngjarja nuk ka asnjë motiv politik.
“Është krejt e qartë që ngjarja e Kavajës s’ka asnjë motiv politik! Autori s’ka asnjë lidhje me PS, përkundrazi është militant i PD! PD s’ka faj për ngjarjen po për politizimin skandaloz! Lulëzim bëhu burrë, ndahu nga Iliri e Saliu, boll bëre kukullën e të paudhëve pa din e iman!”– shkruan Rama.
Ky reagim i kryeministrit vjen pas videos së publikuar online nga personi në arrati Ndriçim Jonuzi, i cili është shprehur se konflikti i tij me Okshtunin nuk kishte pas motive politike.
Ai thotë se personat me të cilët u konfliktua i kishin zënë rrugën një nëne me shami dhe pasi ky i kishte kërkuar llogari ata u sollën në mënyrë arrogante. Në këtë video ai shprehet se ndihet i fyer nga kryedemokrati Lulzim Basha që e quan mbështetës të PS-së.