Sekretari i Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni ka dhënë versionin e tij për plagosjen me armë zjarri në Kavajë.
Ai u ka thënë oficerëve të policisë, se sherri mes tij dhe personit të shpallur në kërkim Ndriçim ka nisur për parkimin e makinës. Jonuzi ka pretenduar se makina e tij i kishte bllokuar rrugën.
“Jonuzi më ka ofenduar, u konfliktuam fillimisht fizikisht e pastaj ai nxori armën.”– ka thënë në dëshminë e tij Okshtuni.
Incidenti ndodhi një ditë më parë në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë, ku pas një debati Bledar Okshtuni u plagos me armë zjarri nga Ndriçim Jonuzi.
27-vjeçari mori një plumb në këmbë, por për fat të mirë pa pasoja për jetën.
Përveç Jonuzit që ka qëlluar me armë, policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë që e shoqëronin: Merkel Shtylla i cili është punonjës i bashkisë si dhe Dorian Troplini, që është drejtor i Policisë Bashkiake.