Vendosni fjalën kyçe....

Basha nga Korça: Jemi 4 ditë para fitores më të madhe në historinë e Shqipërisë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijon turin e takimeve elektorale, në qytetin e Korçës.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se edhe 4 ditë na ndajnë nga fitorja më e madhe në historinë e Shqipërisë.

“25 prilli i fitores do të jetë fitorja e çdo shqiptari do të jetë fitoja e qytetarisë, do të jetë fitorja e Korçës, fitorja më e thellë në historinë e Shqipërisë. Sepse vëllezër dhe motra 8 vite të vështira kanë lënë vragat më të thella në trupin e Korçës dhe të Shqipërisë tonë kjo perlë e qytetarisë, ky djep i arsimit, i dijes, i kulturës, i artit, i punës.”– tha Basha.

 Sipas kryedemokratit, Shqipëria për tetë vite ka qëndruar në vendnumëro. Ai thotë se qytetarët u gënjyen nga premtimi për legalizimet falas dhe e dëgjuan planin e Edi Ramës për t’ju marrë votën, për të prishur pa dëmshpërblim 100 mijë shtëpi shqiptarësh, por shton se kjo do të marrë fund me votën për numrin 9 më 25 prill.

Pjesë nga fjala e Bashës:

“Mirë se të gjej zonjë e bukur e Shqipërisë Korçë!  Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj korçarë! Mirë se ju gjej rini e mrekullueshme e Korçës! Mirë se ju gjej në këtë ditë të bekuar, ku siç ndrin dielli i perëndisë, shndrin fitorja në fytyrat tuaja, sepse vetëm 4 ditë na ndajnë nga dita e madhe e korçarëve dhe e shqiptarëve. 25 prilli i ndryshimit! 25 prilli i fitores do të jetë fitorja e çdo shqiptari do të jetë fitoja e qytetarisë, do të jetë fitorja e Korçës, fitorja më e thellë në historinë e Shqipërisë. Sepse vëllezër dhe motra 8 vite të vështira kanë lënë vragat më të thella në trupin e Korçës dhe të Shqipërisë tonë kjo perlë e qytetarisë, ky djep i arsimit, i dijes, i kulturës, i artit, i punës. Ky vend që ka lindur burra e gra që na bëjnë krenar ndër shekuj, 8 vite me radhë është përdorur dhe keq përdorur, shpërdoruar sikur të ishte oborri i lodrave të një njeriu dhe një grushti njerëzish të cilët janë pasuruar te fëmijët  e korçarëve, vuanin për bukë, një grusht njerëzish të babëzitur për të grabitur gjithçka teksa rinia korçare largohej në emigracion. 8 vite dështime, 8 vite ngecje në vend, 8 vite izolim, nuk mbaruan as rrugën që e gjetën gati me projekt e financim Qukës- Qaf Plloç, e bredh tani 4 ditët e fundit fshat më fshat për të premtuar aeroporte. Janë ditët e fundit sepse të dielën ja kthejmë Korçën korçarëve, ja kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Këto vite lëngate kanë shkaktuar vuajtje të pafundme. Ato kanë qenë sfida të mëdha për familjet shqiptare e në veçanti për nënat tona, për motrat tona, bashkëshortet, gratë, vajzat tona dhe rininë të cilët kanë ndierë në palcë dhimbjen e largimit të bijve tanë më të mirë në emigracion, të cilat kanë vuajtur papunësinë, të cilat kanë vuajtur pamundësinë e shkollimit dhe arsimit të fëmijëve të tyre e më pas të punësimit të tyre me dinjitet.

E pra, pas tetë vitesh dështime, tetë vitesh gënjeshtra e keqja përsëri merr guximin të trokas në dyert, në portat fisnike të Korçës dhe të korçarëve. Ju them sot, Korça e ka marrë vendimin. Korça ja ka mbyllur derën së keqes. Korça e ka hapur zemrën për ndryshimin që vulosim të dielën duke votuar numrin 9. Duke votuar numrin 9. Duke votuar numrin 9. 9 për fëmijët korçarë, dritën e syrit të prindërve të tyre. 9 për rininë e mrekullueshme të Korçës që do të bënte krenarë çdo qytet në Evropë, çdo qytet në botë. 9 për nënat tona që ti fshijnë lotët e dhimbjeve e t’ju kthejmë gëzimin në sy bashkë me punësimin, mirëqenien, dinjitetin. 9 për pensionistët shqiptarë të cilët në tetë vite janë më të papaguarit e Ballkanit ndërkohë që qeveritarët u zhytën në luksin më të pa parë.

Vëllezër dhe motra si shndrin ky diell, shndrin besimi, bindja, fitorja në sytë e Korçës, në sytë e mbarë Shqipërisë. E shoh dhe prek kudo në takime masive si ky, nga jugu në veri. E shoh në sytë e çdo shqiptari edhe të socialistëve që kanë vendosur të bëhen pjesë e këtij bashkimi të madh dhe të votojnë dhe ata për ndryshimin. Sepse fitorja e 25 prillit do të jetë fitorja më e thellë e çdo shqiptari. Ajo do t’i takojë çdo familje shqiptare, çdo të riu, çdo të reje korçare dhe shqiptare. Do të jetë dita kur vota juaj do të rikthejë një qeveri të njerëzve dhe për njerëzit. Do të jetë dita kur ne do të bëjmë realitet fuqinë e demokracisë, fuqinë e votës duke dalë masivisht për të votuar numrin 9. Nuk ka të mbaruar ardhja e njerëzve në këtë bulevard. Nuk ndalet marshimi ynë, krah për krah drejtë fitores, drejtë ndryshimit. Këtë e ka mësuar edhe Edi Rama. Ndaj, këto janë ditët e fundit të krimeve dhe marifeteve, të gënjeshtrave që vetëm sa e nxjerrin edhe më shumë në dritën e diellit dështimin dhe dështakun e këtyre 8 viteve.

Sot nga Korça dua dhe një herë të garantoj të gjithë banorët, të gjithë ata që për 8 vite me radhë u gënjyen nga premtimi për legalizimet falas dhe e dëgjuan planin e Edi Ramës për t’ju marrë votën, për t’ju mashtruar, për të mos ju legalizuar, për t’jua prishur pa dëmshpërblim 100 mijë shtëpi shqiptarësh, jetën, djersën, gjakun tuaj dhe të afërmve tuaj në emigracion, ky ka qenë dhe është Edi Rama i vërtetë. Kjo e keqe, ky dështim tani troketë për herë të tretë në portat e shqiptarëve. Shqiptarët ja kanë mbyllur dyert, Korça ja ka mbyllur dyert, Shkodra ja ka mbyllur dyert, Vlora, Durrësi dhe Tirana, mbarë Shqipëria, sepse zemrat e shqiptarëve thërrasin për ndryshim. Bashkë për ndryshim! E gjithë Korça, bashkë për ndryshim! Dhe ndryshimi po vjen me votën tuaj për numrin 9! Ne do të mundësojmë që jo vetëm të përmbyllim procesin e legalizimeve por dhe të riaktivizojmë ekonominë tonë duke hequr taksat abuzive, taksën mbi karburantin 240 për litër, i cili shtrohet në biftek tek Nusret-i. Faturat e kripura të energjisë, amnistinë e plotë për 350 mijë familje kulari i të cilëve rëndon 28 mijë lekë muaj për muaj, për të paguar luksin e qeveritarëve. Ulja e taksave, ulja e çmimit të energjisë dhe të naftës do ti japë korçarëve mbështetje, energji për të bërë atë që dine të bëjnë më së miri, punë të ndershme, mirëqenie, paga të larta, gëzim në familjet tona, dinjitet njerëzor, qytetari, pozitivistet.

Nga Korça anembanë Shqipërisë, nga Konispoli në Vermosh, le ta kthejmë gëzimin në zemrat tona, le ta marrim fatin tonë në duart tona. Masivisht, ditën e diel, çdo i ri dhe e re korçare, ju bukuri, ju krenari e Korçës dhe e gjithë Shqipërisë, për shkollimin tuaj, për arsimin tuaj, për punësimin tuaj, për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, për hapjen e negociatave në 100 ditët e para të qeverisë sonë votoni numrin 9. Për prindërit tuaj, për rritjen e pensioneve, për t’jua fshirë lotët, për t’iu dhënë mundësinë ju të jeni pranë tyre me ta, të punoni e të fitoni në Korçën e bukurisë, të traditës, të punës, të fermerëve, të turizmit, të zejtarisë, e të krijoni këtu familjet tuaja pranë familjeve të prindërve tuaj. Ta ndalim plagën e emigracionit, ta rikthejmë Korçën në një perlë margaritar të ekonomisë dhe qytetarisë. Të dielën votoni numrin 9. Bashkë për ndryshim! Korça fiton! Shqipëria fiton!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *