Vendosni fjalën kyçe....

Mungesa e gjumit mund të rrisë rrezikun e demencës


Fjetja e pamjaftueshme mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të demencës më vonë në jetë.  Sipas një studimi të ri, ata që flinin më pak se gjashtë orë ishin më të rrezikuarit.

Studiuesit nga Universiteti i Parisit analizuan të dhënat e një sondazhi mbi shëndetin e 7,959 individëve britanikë që nga viti 1985, ku përfshihej dhe kohëzgjatja e vetë-raportuar e gjumit.

Ekipi i udhëhequr nga Severine Sabia zbuloi se ata të moshës 50 deri 70 vjeç, të cilët flinin më pak se gjashtë orë në natë në moshën e mesme, kishin një rrezik prej 30% më të lartë të demencës.

Në të gjithë botën, rreth 50 milionë njerëz vuajnë nga demenca dhe ka gati 10 milionë raste të reja çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sabia thotë se gjumi mund të jetë i rëndësishëm për shëndetin e trurit në moshën e mesme dhe se kërkimet e ardhshme mund të përcaktojnë nëse përmirësimi i zakoneve të gjumit mund të parandalojë demencën.

Për këtë studim, autorët ekzaminuan të dhënat e mbledhura gjatë 36 viteve të fundit që nga viti 1985 mbi mijëra njerëz që vetë raportuan zakonet dhe kohëzgjatjen e tyre të gjumit.

Ata zbuluan se demenca dihet se ndikon në ciklet e gjumit e zgjimit, por shkalla në të cilën kohëzgjatja e gjumit si i rritur shoqërohet me demencën ishte e paqartë.

Kjo është për shkak se shumica e studimeve nuk e kanë marrë parasysh qartë moshën gjatë vlerësimit të kohëzgjatjes së gjumit.

“Qasja jonë i kushton vëmendje të dy këtyre aspekteve, së bashku me përfshirjen e një vargu të gjerë kovariatesh për të treguar që kohëzgjatja e shkurtër e gjumit në moshën e mesme shoqërohet me një rrezik në rritje të demencës”– shpjegoi ekipi, citon Daily Mail.

Dihet që gjatë gjumit, toksinat pastrohen nga truri dhe pjesët e tjera të trupit – duke mbrojtur kundër një morie sëmundjesh, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe kancerin.

Dr Sabia tha: “Ka hipoteza të besueshme biologjike për të shpjeguar lidhjen midis kohëzgjatjes së gjumit dhe demencës. Një prej tyre ka të bëjë me rolin e gjumit në pastrimin e mbetjeve të proteinave në tru.

Gjatë një periudhe zgjimi aktiviteti neuronal rrit çlirimin e proteinave beta amiloide, këto proteina më pas lahen nga truri gjatë gjumit. Në rastin e gjumit të shkurtër, pastrimi i këtyre proteinave mund të ndryshohet dhe të çojë në akumulimin e Amyloid beta në tru. Grumbullimi i këtyre proteinave vërehet në sëmunedjen e Alzheimer-it. Mekanizmat e tjerë mund të përfshijnë gjithashtu një rol të gjumit në neuroinflamacion dhe aterosklerozë (forcim i arterieve).”

Çfarë është demenca? Demenca nuk është një sëmundje në vetvete, por është një term i përdorur për të përshkruar një grup simptomash. Këto përfshijnë humbjen graduale të kujtesës, rënien e aftësisë për të menduar dhe arsyetuar, si dhe probleme me komunikimin. Këto simptoma shkaktohen nga disa gjendje dhe çrregullime. Rreziku për zhvillimin e demencës rritet në mënyrë dramatike me moshën, por ka shumë persona në moshë të re me probleme demence. Sëmundja e Alzheimerit është forma më e zakonshme e demencës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *