Policia ka publikuar njoftimin zyrtar për arrestimin e tre personave të dyshuar, për plagosjen e sekretarit të PD-së në Kavajë, Bledar Okshtuni.
Në fakt lajmi për arrestimin e tyre qarkulloi që mbrëmë, por policia e konfirmoi syrtarisht vetëm sot.
Në njoftim thuhet se janë vënë në pranga shtetasit Ndriçim Jonuzi (Tahiri), si autor i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të Okshtunit, si dhe dy të dyshuarit e tjerë Dorjan Troplini dhe Markel Shtylla.
Ndriçim Jonuzi akuzohet për dy vepra penale, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, ndërsa dy personat e tjerë akuzohen vetëm për “Moskallëzim të krimit”.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u arrestuan shtetasit: N. T.(J.), 45 vjeç, për veprat penale ‘Armëmbajtja pa leje’ dhe ‘Plagosja e rëndë me dashje’, dhe D. T., 29 vjeç dhe M. Sh., 29 vjeç për veprën penale ‘Moskallëzim i krimit’.
Këta shtetas ishin të shpallur në kërkim, pasi më datë 19.04.2021, shtetasi N. T. ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin B. O., ndërsa shtetasit D. T dhe M. Sh. nuk kanë kallëzuar për krimin.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Jonuzi është person me precedentë të mëparshëm penalë dhe i dënuar me disa vite burg në Itali.
Ngjarja u cilësua si me prapavijë politike për shkak se ndodhi në selinë e PD-së në Kavajë. Autori i dyshuar i ngjarjes mëngjesin e sotëm disa orë pas kryerjes së plagosjes përgënjeshtroi se kishte ndodhur për motive politike, duke theksuar se qe një konflikt i çastit çoi në përdorimin e armës.
Dje Partia Demokratike publikoi një foto, ku i dyshuari Ndriçim Jonuzi shfaqej krah kryebashkiakut socialist të Kavajës, duke hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Edi Rama, se autori i ngjarjes qe një nga militantët e PD-së.
Në foto, Jonuzi shihet në një tavolinë me kryebashkiakun Redian Krali, sëbashku me dy personat e tjerë të dyshuar si të përfshirë në incident: Merkel Shtylla i cili është punonjës i bashkisë si dhe Dorian Troplini, që është drejtor i Policisë Bashkiake.