Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin “Real Story” ka deklaruar se procesi i fushatës zgjedhore do ishte evropian nëse Presidenti Ilir Meta do largohej nga ekrani.
Sipas Kryeministrit Rama, kryedemokrati Basha po bën fushatë të përmbajtur.
Kryeministri Rama përgjigjen e dha në komentin e bërë për deklaratën e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë e cila bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga drejtuesit politikë dhe Presidenti.
“Ngjarja në Elbasan tregon dëshpërim të madh. Dëshpërim kur shkohet deri aty ku nuk duhet të imagjinohet. Ky është proces, po të heqësh Metën nga ekrani, do ishte proces evropian. Edhe grumbullimet që nuk duhet të bëhen nga PD-ja, por në territor kanë filluar të ndjejnë humbjen serioze më 25 prill.
Gjithë tensioni që kërkon të ngrejë Meta çon ujë në mullirin e gabuar të shoqërisë sonë. Ne nuk kemi dalë në fushatë elektorale që të plagosen e vriten njerëz. Kjo është garë për dy rrugë të ndryshme për të nesërmen e vendit”-deklaroi Rama.