Një krim i rëndë ka ndodhur në Elbasan para pak çastesh. Pjerin Xhuvani është vrarë me armë zjarri ndërsa autori i dyshuar i krimit është Arbër Papleka, i cili ndodhej në qytet për të ndihmuar fushatën e PD-së si shoqërues i Gazment Bardhit.
Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve dhëndri i tij i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit ndërsa e lënduar ka mbetur edhe efektivja e Shqiponjave, Xhensila sota. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen 5 Maji të qytetit.
56-vjeçari ka qenë duke ecur në këmbë kur është qëlluar për vdekje nga ish-efektivi i RENEA-s, Papleka. Ky i fundit është arrestuar në Tiranë pak pas krimit, ku ka deklaruar se ka qëlluar për vetëmbrojtje.
Emri i Pjerin Xhuvanit doli në përplasjen e ndodhur ne Elbasan gjatë vizitës së kryeministrit Rama teksa mbështetës të PS-së e PD-së u përfshinë në një konflikt.
Ndërsa PD-ja e akuzoi Xhuvanin si një nga organizatorët e sulmit ndaj mbështetëve të PD-së në përplasjen që ndodhi në Elbasan Ditën e Verës. Xhuvani ka qenë kandidat i LSI-së në zgjedhjet e vitit 2013.
Xhuvani është mjek psikiatër me profesion. Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme si ish-Drejtor i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit e ish-drejtor në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë.
Menjëherë drejt Elbasanit janë nisur forcat RENEA, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe ai i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.
*Video Credit: Report TV