Muaji mars i këtij viti pa një rritje të dukshme të numit të aksidenteve në raport me marsin e vitit të shkuar. Ky kërcim me më shumë se 83 për qind lidhet me faktin që më shumë se gjysma e marsit të vitit të shkuar ishte periudhe karantine duke kufizuar lëvizjen e mjeteve për shkak të pandemisë. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për Aksidentet Rrugore tregojnë se ka edhe një rritje të fataliteteve ku të paktën 58 persona humbën jetën në rrugë në periudhën janar-mars.
“Në muajin Mars 2021 numërohen 119 aksidente rrugore nga 65 aksidente të ndodhura në muajin Mars 2020, duke u rritur me 83,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për shkak të mbylljes (lockdoën) në vitin 2020, rënia e aksidenteve ishte e madhe. Kështu që krahasimi me këtë vit jo normal për shkak të pandemisë ka sjellë një rritje të lartë gjatë këtij muaji. Në tremujorin e parë të vitit 2021, numërohen 323 aksidente rrugore nga 264 aksidente të ndodhura në tremujorin e parë të vitit 2020, duke u rritur me 22,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Mars 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 150 persona nga 94 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 59,6 %. Numri i të aksidentuarve në tremujorin e parë të vitit 2021, është 418 persona nga 360 persona, duke u rritur me 16,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në muajin Mars 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 18 persona nga 10 persona të vdekur në Mars 2020. Në tremujorin e parë të 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 58 persona nga 39 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në njoftimin e INSTAT.
Por cilat janë arsyet e aksidenteve. INSTAT raporton se në muajin Mars 2021, aksidentet rrugore, në 79,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
“Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 26,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 34,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tremujorin e parë të vitit 2021, aksidentet rrugore, në 19,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 12,3 %, krahasuar me një vit më parë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al