Gazetari dhe analisti Andi Bushati ka lënë i nervozuar studion e emisionit “Open” në Top Channel ku ishte i ftuar mbrëmjen e kaluar, pas një debati me moderatoren Eni Vassili për deputetin socialist Taulant Balla.
Në panel po diskutohej vrasja e ndodhur dje në Elbasan, ku në një moment është futur në lidhje me “Skype” deputeti i PS-së, Taulant Balla.
Moderatorja e emisionit Eni Vasili tha se do të transmetonte deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe më pas do të niste pyetjet për Ballën, mirëpo socialisti refuzoi duke thënë se nuk ishte futur në lidhje për të folur për Bardhin.
Vasili u bind për të mos e transmetuar deklaratën e Bardhit, dhe vendosi ta lexonte vetë atë që demokrati kishte thënë.
Por këtu ndërhyri gazetari Andi Bushati duke e konsideruar skandaloze që regjinë e emisionit ta bëjë Taulant Balla. Për këtë arsye ai hoqi mikrofonin dhe u largua ën shenjë proteste nga emisioni. Madje nga nervozizmi harroi edhe çelësat e tij të makinës mbi tavolinë.
DEBATI:
Vasili: Më informon regjia se kam në lidhje të drejtpërdrejtë Taulant Balla. Po i them mirëmbrëma. Balla mirëmbrëma, të lutem qëndro aty.
Balla: Mirëmbrëma
Vasili: Kemi disa pyetje për ju. 60 sekonda të shohim akuzat që ka bërë pak më parë Bardhi në drejtimin tuaj.
Balla: Të lutem unë duhet të…
Vasili: 60 sekonda të kërkoj se publiku nuk i ka dëgjuar dhe dua një përgjigje tuajën. 60 sekonda, jo më shumë.
Balla: Nuk kam hyrë në lidhje për të dhënë përgjigje për Bardhin, Bardhi do japë përgjigje para drejtësisë
Vasili: Ju ka akuzuar
Balla: Jo zonjë, që të jemi të qartë…
Vasili: Ju ka akuzuar. Mirë atëhere nëse s’doni ta dëgjoni, po e them unë çfarë thotë ai.
Bushati: Jo jo, nuk e bën Partia Socialiste regjinë e emisionit tani
Vasili: Një sekondë
Bushati: Nuk ta bën PS-ja Regjinë, e lancove një gjë, nuk ta kthen dot Taulant Balla, se ky është emisioni i PS-së pastaj
Vasili: O Bushat, një sekondë
Bushati: E ke thënë, sapo i anoncove publikut ‘do jap kronikë’. Nuk mund ta ndryshojë Taulant Balla regjinë e emisionit
Vasili: Do e jap, patjetër… Si nuk qetësoheni sot, çfarë keni? Pse nuk qetësoheni?!
Bushati: Po është skandaloze kjo që po bën o Eni
Vasili: Po qetësohu mor burrë
Bushati: Sapo ia anoncove qindra-mijëra shikuesve të Top Channelit që do japësh kronikë dhe Taulant Balla të të kthejë ty kronikën?!
Vasili: As ti as Taulant Balla nuk ma bën mua emisionin. Do ta jap, Bushat qetësohu
Bushati: Unë s’kam punë më në këtë emision or vëlla, në qoftë se këtu e bën regjinë Taulant Balla
Vasili: Ke harruar çelësat e makinës (qesh), mund ti marrësh. Atëhere Balla…