Kjo javë e fundit e fushatës zgjedhore është shoqëruar me incidente të njëpasnjëshme, që kanë përfunduar në dhunë, plagosje e madje edhe në vdekje si në rastin e Elbasanit.
Dhuna e kësaj jave nisi me një incident të ndodhur në Kavajë ditën e hënë, që në fakt nuk është e konfirmuar nëse kishte prapavijë politike, por për shkak se ka ndodhur në zyrën elektorale të degës së PD-së në këtë qytet dhe sulmeve e kundërsulmeve politike që rodhën më pas, po e fusim në këtë listë.
Nga pesë incidente të ndodhura në Kavajë, Elbasan, Poliçan, Tiranë e në Vlorë: Një person ka humbur jetën dhe shtatë të tjerë kanë mbetur të plagosur apo lënduar.
Incidenti në Kavajë
Të hënën rreth orës 17:40, mbeti i plagosur sekretari i PD-së Bledar Okshtuni në Kavajë, duke trazuar qytetin dhe politikën shqiptare.
Okshtuni u plagos me armë zjarri në këmbë në zyrat elektorale të PD-së në qytet dhe lidhur me ngjarjen është vënë në pranga, nga Ndriçim Jonuzi.
Po ashtu përveç tij, të dyshuar për ngjarjen janë edhe dy persona të tjerë që e shoqëronin: Merkel Shtylla i cili është punonjës i bashkisë si dhe Dorian Troplini, që është drejtor i Policisë Bashkiake.
Të dy palët kanë deklaruar se incidenti ka ndodhur për një konflikt të çastit, me Jonuzin që thoshte se ishte nervozuar pasi pala kundërshtare nuk kishte respektuar një zonjë të moshuar dhe me të plagosurin që thotë se sherri ka nisur për parkimin e makinës.
Mes liderit të PD-së Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama nisi një përplasje në distancë mbi bindjet politike të të dyshuarit, që sipas të parit mbështeste PS-në dhe të dytit se ishte militant i PD-së.
Jonuzi nga arratia nxori një video, ku shprehej se ndihej i fyer nga Basha që e quante mbështetës të PS-së, duke i hedhur poshtë sakrificat e tij të bëra ndër vite për partinë. Ndërsa më vonë PD nxori një foto të Jonuzit dhe dy personave të tjerë të përfshirë në konflikt, që shiheshin në një tavolinë me kryebashkiakun socialist të Kavajës, Redian Krali.
Incidenti në Elbasan me një viktimë dhe katër të plagosur
Rasti më i rëndë ka ndodhur në Elbasan, ku dje mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë: dhëndri i Xhuvanit, Eltjon Bodinaku 32 vjeç, Emiljan Prenga, 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç dhe efektivja e ‘Shqiponjave’ Xhensila Sota, 27 vjeç.
Lidhur me ngjarjen është arrestuar ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Papleka, i cili ka deklaruar se ka qëlluar për vetëmbrojtje.
Kujtojmë se emri i Pjerin Xhuvanit doli dhe në përplasjen e ndodhur në Elbasan gjatë vizitës së kryeministrit Rama për Ditën e Verës, teksa mbështetës të PS-së e PD-së u përfshinë në një konflikt.
Ndërsa PD-ja e akuzoi Xhuvanin si një nga organizatorët e sulmit ndaj mbështetëve të PD-së në përplasjen që ndodhi në Elbasan Ditën e Verës. Xhuvani ka qenë kandidat i LSI-së në zgjedhjet e vitit 2013.
I dyshuari për ngjarjen, Arbër Papleka i lindur në Tropojë ndodhej në Elbasan si pjesë e fushatës së PD-së në këtë qark.
Lidhur me këtë ngjarje, Gazmend Bardhi ka deklaruar se Papleka ishte pjesë e një structure të PD-së të ngritur për mbrojtjen e votës. Kjo strukturë kishte marrë informacione për një makinë pa targa që po shpërndante para për vota dhe anëtarët e kësaj strukture kishin bllokuar makinën dhe njoftuar policinë.
Mirëpo sipas tij, në këtë moment, në prezencë të Policisë së Shtetit, një nga personat që dyshohet të jetë Klemend Xhaferri, kanë nxjerrë armën dhe kanë qëlluar ndaj strukturës për mbrojtjen e votës. Në këtë moment ka pasur shkëmbim zjarri dhe disa persona kanë mbetr të plagosur.
Bardhi thotë se Papleka zotëron armë me leje dhe ka qëlluar për tu vetëmbrojtur, e menjëherë pas ngjarjes ai është dorëzuar në polici.
Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant e cilësoi aktin e sotëm si përshkallëzim ekstrem të “dëshpërimit që materializohet nga shpifjet e përsëritura se PS-ja po bën të gjitha të zezat” dhe shprehet se nga zona të tjera kanë shkuar në Elbasan grupe paramilitare të armatosura dhe kanë terrorizuar qytetarët.
Incidenti në Vaqarr, Tiranë
Një incident i ngjashëm ka ndodhur edhe në Vaqarr në Tiranë, për fat të mirë pa humbje jete. Ish-kreu i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha, akuzohet se ka dhunuar një 36-vjeçar, për shkak se pretendonte se ky i fundit shpërndante ushqime për fushatë.
Hoxha i ka bllokuar rrugën mjetit, në të cilin udhëtonte 36-vjeçari Bledar Goga.
Rasti është bërë publik fillimisht nga administratori i Vaqarrit, Gentian Myrta i cili shprehej se ushqimet po shpërndaheshin për shtrimin e një iftari për banorët e lagjes Ibra në Vaqarr. Hoxha është proceduar penalisht nga policia.
Incidenti në Poliçan
Anëtari i LSI-së, 53-vjeçari Luan Tare u dhunua ditën e djeshme nga disa persona. Ai ka deklaruar se është rrahur nga 7 persona të Partisë Socialiste, mes tyre edhe vëllai si dhe nipi i kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Në momentin kur ai është rrahur nga këta persona, ka qenë duke hyrë në pallatin e tij.
Ai pretendon se është kërcënuar vazhdimisht gjatë 2-muajve të fundit nga anëtarët e PS-së në Poliçan për të hequr dorë nga LSI-ja.
Presidenti Ilir Meta e vizitoi atë në spital dhe kërkoi që ai të dërgohej në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Tare fillimisht ishte dërguar në Qendrën Shëndetësore “Pëllumb Dollani” në Polican, ku mori mjekimin e parë. Mirëpo gjendja e tij po përkeqësohej dhe familjarët e tij kishin kërkuar mjekin më të specializuar dhe donin ta transportonin me ambulancë në spitalin e Beratit.
Mirëpo mjekja në këtë qendër shëndetësore ka refuzuar duke thënë se Tare ka marrë vetëm një hematomë të lehtë në krahun e majtë por nuk ka shembje të brendshme, përderisa orientohej në kohë dhe hapësirë dhe përderisa nuk kishte të vjella.
Familjarët të shqetësuar e transportuan gjithsesi me mjete private në Berat, ku pas skanerit, rezultoi me frakturë në kokë. Mjekët e Spitalit Rajonal të Beratit për këtë arsye e transportuan atë në Spitalin e Traumës.
Incidenti në Vlorë
Po ditën e mërkurë, janë regjistruar të shtëna me armë zjarri në fshatin Poro të Vlorës pasditen e sotme.
Plumbat rit janë qëlluar në drejtim të një lokali në pronësi të shtetasit me iniciale Gj.N. Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati persona të dëmtuar.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Dega Vlorë, Lorenc Danaj, thotë se meqënëse lokali është përdorur si bazë për takime elektorale të PD-së dhe meqë pronari është pjesë e strukturave të kësaj partie, përbën arsye që kjo goditje të ketë prapavijë politike.