Kandidati i PD-së për deputet në Tiranë, Belind Këlliçi dorëzoi sot në SPAK kallëzimin penal kundër kryetarit të Njësisë Administrative të Vaqarrit. Gentian Myrto, për krim zgjedhor, korrupsion aktiv dhe pasiv zgjedhor.
Kjo vjen pas incidentit të ndodhur ditën e djeshme në këtë njësi administrative, ku pati një përplasje me disa përfaqësues të PD-së që ndaluan një mjet që dyshonin se shpërndante ushqime në këmbim të votës.
Ndërkohë që sipas palës tjetër ishin thjesht ushqime për iftar.
Belind Këlliçi i ka kërkuar SPAK të kryejë detyrën e saj, të zbatojë ligjit dhe të hetojë plotësisht ngjarjen.
“Kam bërë detyrën time ligjore, kam dorëzuar së bashku me zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike, kallëzimin penalpër hetimin e kësaj ngjarje. Provat dhe materialet që ne kemi depozituar për të bërë transparencë për publikun, për të patur më të fund zyrtarë të cilët shkojnë para drejtësisë dhe ndëshkohen.”– tha Këlliçi, i cili ishte i pari që denoncoi rastin ditën e djeshme.
Belind Këlliçi theksoi se aktet e blerjes së votës po refuzohen nga qytetarët e Tiranës. Sipas tij, qytetarët do të votojnë të dielën masivisht për ndryshimin dhe Partinë Demokratike. “Në Tiranë do të marrim fitoren më të madhe”- tha Këlliçi.
Lidhur me incidentin policia procedoi ish-kreun e Policisë Bashkiake Florenc Hoxha, i cili së bashku me pjesëtarë të tjerë të PD-së ndaluan makinën që ata dyshonin se shpërndante ushqime në këmbim të votave. Ai akuzohet për dhunën e ushtruar ndaj 36-vjeçarit që drejtonte mjetin Bledar Goga.