Gjatë fjalës së tij në konferencën e sotme për mediet pasi bëri disa denoncime për blerjen e votave, presidenti Ilir Meta bëri një thirrje edhe për ndërkombëtarët që të reagojnë në kohë për krimet zgjedhore.
Ai tha se nëse ambasadorët e huaj në vendin tonë do të kishin reaguar në kohë më parë, do ishin shmangur in cidentet e dhunshme të ndodhura gjatë këtyre ditëve si rasti i Kavajës, apo ai i Elbasanit ku pati edhe një humbje jete.
“U bëj thirrje ndërkombëtarëve të jenë më parimorë dhe të reagojnë në kohë. Nëse nuk do kishin toleruar shkeljen njëanshme të marrëveshjes së të 5 qershorit, situata do ishte më e mirë prej kohësh. Nëse do kishin reaguar atë ditë kur vagabondi i bashkisë së Tiranës, porositi që të ushtrohej dhunë në prezencë të presidentit kundër një partie opozitare vetëm se ajo dy ditë më parë kishte nënshrkuar një marrëveshje me PD-në, nuk do kishte ndodhur plagosja në Kavajë.
Nëse do kishin reaguar pas plagosjes në Kavajë, të dënonin sulmin e banditëve ndaj opozitës, nuk do kishte ndodhur as vrasja dje në Elbasan. Do i bëj thirrje Ardi Veliut ta marrë seriozisht këtë situatë. Nuk të mbron dot ty Edi Rama se smbron dot vetën, do përpiqet të shpëtojë me rrethanë lehtësuese me kartelën. Do na vërë neve fajin e do thotë ‘C’faj kam unë që isha i çmenduar, vetë më zgjodhët, vetë më bëtë.’ Kështu që zbatoni ligjin, edhe njëherë do të ketë ligj special për çdo njeri që përfshihet në krime zgjedhore.”- deklaroi presidenti i vendit.