Partia Socialiste mbyll fushatën me një tubim në sheshin Skënderbej ditën e sotme, 3 ditë përpara zgjedhjeve.
Socialistët kanë zgjedhur që të dekorojnë sheshin me lulen, simbol të partisë së tyre.
Fushatën e hapi Luljeta Bozo kandidatja e renditur e para në listën për qarkun e Tiranës.
Ndërsa kryeministri Rama deklaroi se në 25 prill Shqipëria do çlirohet nga demoni.
“Të patronazhosh derë më derë, të trokasësh familje më familje, të pyesësh si shkoni, çfarë problemesh keni, çfarë mendoni ju për qeverisjen, çfarë opinioni keni për PS, çfarë hallesh ju pengojnë për të na mbështetur, do të thotë që çdo njeriu t’i japësh vlerën që ka ai. Të turresh rrugëve, për t’i ndaluar njerëzit, sikur je një forcë nga ato forcat paramilitare në vende, ku thika e urrejtjes është futur deri në kockë, dhe pasi ndalon njerëz të lësh pas edhe viktima, do të thotë që për ty njerëzit janë njerëz vetëm kur futen në autokolonën tënde, ndërsa jashtë saj jeta e tyre nuk ka asnjë vlerë. Ky episod kaq tragjik duhet t’i bëjë gjithë shqiptarët të zgjohen dhe të kujtojnë se çfarë i kanë bërë Shqipërisë prej 30 vjetësh po këta, të zgjohen e të kujtojnë se në çfarë humnerash e kanë hedhur këta Shqipërinë, të zgjohen e të kujtohen sa herë ka pasur humbje jetësh, plagë të shkaktuara, që lidhen me ta. Më 25 prill Shqipëria duhet të çlirohet nga demoni, që sa herë shfaqet në jetën tonë, ja tërheq këmbët poshtë Shqipërisë”-theksoi kryeministri Rama.