Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim pas pendesës së Xhelal Mziut: Më vjen mirë që shoh një ndjesë, dhuna e Elbasanit nuk duhet të përsëritet


Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka reaguar në lidhje me ndjesës së kandidatit të PD-së për deputet, Xhelal Mziu, lidhur me deklaratat e forta që bëri ditën e djeshme gjatë një takimi elektoral.

Në një postim në “Twitter”, ambasadorja Kim ka mbështetur ndjesën që bëri Mziu, ndërsa thekson se dhuna në Elbasan nuk duhet të përsëritet.

“Më vjen mirë që shoh një ndjesë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë copën e ndonjë partie politike dhe ‘patrullojnë’ rrugët i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë.

Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë Shqipërinë larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë.”– shkruan ambasadorja amerikane.

Xhelal Mziu publikoi sot një videomesazh, ku kërkoi ndjesë për deklarat e djeshme, ku tha: “Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit.”

Një deklaratë shumë e rëndë që vjen vetëm dy ditë pas incidentit të rëndë që ndodhi në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person, Pjerin Xhuvani.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *