Këtë javë ka nisur një debat i madh pas incidenteve të ndodhura ditët e fundit lidhur me zgjedhjet, sidomos ai i Elbasanit ku pati edhe një humbje jete.
Debati është nëse një qytetar i thjeshtë, anëtar apo jo i një partie politike: “A ka të drejtë të arrestojnë në flagrancë dikë që kryen një krim zgjedhor?”.
Përgjigje kësaj pyetjeje i jep avokati Adriatik Lapaj, i cili tregon një nen të Kodit Penal, ku thuhet qartë se kushto e ka të drejtë të ndalojë vetë një person që e kap në flagrancë duke kryer një krim zgjedhor, për ta dorëzuar atë më pas në duart e policisë.
“LIGJI U NJEH TË DREJTËN QYTETARËVE TË ARRESTOJNË NË FLAGRANCË VETË KËDO KRYEN NJË KRIM ZGJEDHOR
Kushdo konstaton një person që kryen një krim zgjedhor duke blerë votë sipas nenit 328 ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’, duke shitur votë sipas nenit 328/b ‘Korrupsioni pasiv në zgjedhje’, duke penguar zgjedhësit të votojnë sipas nenit 330 ‘Pengimi i zgjedhësit’, duke marrë apo përdorur dokumentat e të tjerëve sipas nenit 331/a të Kodit Penal bazuar në nenin 251 pika 1 dhe 4 të Kodit të Procedurës Penale është i AUTORIZUAR të ARRESTOJË në flagrancë shkelësin e ligjit me detyrimin për ta dorëzuar menjëherë te oficeri i policisë gjyqësore.
Këtë thotë ligji.
MOS E SHIT VOTËN!”– shkruan Lapaj.
Debati nëse qytetarët e kanë apo jo këtë të drejtë, erdhi pasi Partia Demokratike zbuloi se kishte ngritur struktura brenda partisë, për të mos lejuar blerjen e votës. Dhe në disa qytete ka patur raste ku janë ndaluar automjete që lëviznin me para (rasti i Maqellarës) apo me ushqime (rasti i Vaqarrit).
Mirëpo incidenti në Elbasan përfundoi me plagosjen e katër personave dhe vrasjen e një tjetri. Shtetasi Pjerin Xhuvani humbi jetën pasi sipas policisë u qëllua nga Arbër Papleka, ish-efektiv i forcave RENEA. Ai kishte tentuar ta ndalonte Xhuvanin me disa të tjerë, pas dyshimeve se po shpërndanin para për blerjen e votave për PS-në. Por pas një konflikti mes tyre lidhur me bllokimin e automjetit, incidenti u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve.