Vendosni fjalën kyçe....

Basha intervistë nga makina rrugës për Shkodër: Borxhin ndaj Becchetti-t do e paguajnë Rama, Veliaj dhe Agaçi


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar këtë mëngjes një intervistë televizive nga makina, rrugës për në Shkodër.

Në këtë intervistë për “ABC-në e Mëngjesit”, Basha u bëri vazhdimisht thirrje qytetarëve që të dalin masivisht për të votuar këtë të dielë.

“Është dita e shqiptarëve, ftesa ime është që ta intensifikojnë këto orë politikën. Do jetë pjesëmarrja më masive në 30 vite dhe fitorja do të jetë masive.”– deklaroi Basha. Ai tha se vetëm vota masive do të sjellë ndryshimin që është i nevojshëm në vend.

Gazetari Enkel Demi e pyeti Bashën se çfarë do të ndodhë me borxhin që Shqipëria i ka Francesco Becchetti-t.

Basha tha se “fatura” do të paguhet me pasuritë e kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut Erion Veliaj dhe  Engell Agaçt.

“Ky është një dëm i shkaktuar nga sjellja e tre individëve, e kryeministrit, e kryebashkiakut të Tiranës dhe sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit. Gjithçka është e dokumentuar. Ne kemi dosjen e plotë e cila tregon qartë se përgjegjësia është personale dhe dëmi i shkaktuar Shqipërisë ka përgjegjës personal. Ndaj siç e kam thënë dhe siç e kanë dhe ligjet e vendeve të zhvilluara, edhe ne do të adoptojmë të njëjtat norma.

Dëmet e shkaktuara arkës së shtetit nuk do paguhen nga taksat e shqiptarëve por do të paguhen e do jetë përgjegjësi financiare nga ata që shkaktuan me vetëdije.”- tha Basha.

Pasi Demi i kujtoi pasuritë e deklaruara të tre zyrtarëve të përmendur, Ramës, Veliajt e Agaçit nuk shkojnë më shumë se 200-250 mijë euro, Basha tha se t’i gjurmonte pasuritë e vërteta të tyre pas një bashkëpunimi me Europolin dhe organizata të tjera.

 “Ne kemi vendosur një bashkëpunim me Europolin, me organizata të tjera të ligjzbatimit dhe siç e thashë në përvojën e vendeve që kanë gjurmuar pasuritë e zyrtarëve të korruptuar, do të ngrejmë mekanizmat përkatës për t’i gjurmuar këto pasuri kudo ku ndodhen, në banka offshore, në asete të fshehura në emër të personave të tjerë… Lufta kundër korrupsionit dhe kthimi i parave të zhvatura nga xhepat e shqiptarëve që janë varfëruar ndërkohë që një grup njerëzish janë pasuruar, që s’kanë ujë për të pirë në shtëpitë e tyre, s’kanë ushqim për fëmijët e tyre, pensionistët që nuk kanë para për të paguar bukën e gojës pasi i përdorin pensionet për faturat e energjisë elektrike, ndërkohë që qeveritarët e paguajnë 1 mijë euro biftekun te Nusreti, kjo kohë do të marrë fund. Prandaj u bëj thirrje gjithë shqiptarëve pa dallim, çdo qytetari për të shkuar masivisht drejt kutive të votimit.”– deklaroi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *