Vendosni fjalën kyçe....

“Çdo person i dyshimtë do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”, Policia procedon penalisht Xhelal Mziun


Policia e Dibrës ka proceduar penalisht kandidatin e PD-së, Xhelal Mziun pas deklaratës që ky i fundit bëri ditën e djeshme gjatë një takimi elektoral.

Ai akuzohet për “Thirrje për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.

Kjo vjen pasoi ditën e djeshme gjatë një takimi elektoral, Xhelal Mziu iu ka bërë thirrje qytetarëve që të njoftojnë për çdo rast të tentativës së blerjes së votës. Por në një moment nuk e përmbajti dot veten dhe shtoi: “Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit.”

Një deklaratë shumë e rëndë që vjen vetëm dy ditë pas incidentit të rëndë që ndodhi në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person, Pjerin Xhuvani.

Ai u pendua më pas dhe kërkoi ndjesë përmes një videomesazhi, ku tha se ndihej “i penduar thellë” dhe se atë “koment të panevojshëm” e kishte bërë i rrëmbyer nga emocionet e momentit në miting.

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim reagoi pas ndjesës së tij në një postim në “Twitter”, ku tha se i vjen mirë “për ndjesën nga Dibra” ndërsa theksoi se dhuna në Elbasan nuk duhet të përsëritet.

NJOFTIMI I POLICISË

Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të shtetasit XH.M, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër.

Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH.M, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrrje për të nxitur dhunë duke bërë prezenet ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.

Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryjnë veprime duke cënuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *