Policia e Dibrës ka arrestuar dy persona pas incidentit të shënuar ditën e djeshme në Maqellarë, ku një automjet u ndalua nga eksponentë të PDsë pas dyshimeve se transportonte para me qëllim për blerje votash.
Të arrestuarit janë juristi i bashkisë Denis Gjoli dhe shtetasi me inicialet A.C.. Ata akuzohen për ‘Korrupsion aktiv në zgjedhje’, pasi policia pas mbërritjes në vendngjarje konfirmoi se në automjet gjendeshin 5 milionë lekë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’ kryer në bashkëpunim dhe ‘Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’ të shtetasve:
- C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.
Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.”– njofton Policia.
Por nuk janë marrë masa vetëm për ata. Policia ka ka filluar gjithashtu procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit me inicialet A. S. dhe G. H., banues në Dibër. Ato janë dy personat që u kanë bllokuar rrugën dy personave të lartpërmendur, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.
Në dëshminë e tij në polici, juristi i bashkisë Denis Gjoli tha se shumën e parave ia kishte marrë një të afërmi borxh për arsye familjare dhe se kjo nuk kishte lidhje me blerjen e votave.