Ish-ministrja e Arsimit ka thënë se të dielën do vijë në Tiranë për të votuar PS-në e Edi Ramën.
Në një shënim në Facebook ajo shkruan se kritikat e saj për PS-në qëndrojnë ende megjithatë ajo vijon të jetë mundësia më e mirë për vendin.
“Të dielën do të shkoj në Tiranë për të votuar Partinë Socialiste, grupin politik me të cilin shërbeva për tre vite në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Kritikat e mia për PS-në qëndrojnë ende: PS duhet dhe mundet të jetë më e mirë, më e majtë, më e drejtë. Por, gjithashtu qëndron se sot PS vazhdon të jetë opsioni më i mirë për Shqipërinë. Po të mund të votoja jashtë qarkut tim, do i jepja votën time Lindita Nikollës në Lezhë, e cila reformën në arsim e ka shtyrë përpara me kurajo e shumë sakrificë dhe duke punuar për Lezhën paralelisht, pa u ndalur.” – shkruan Shahini.
Ajo cek më tej edhe emrat e disa kandidateve femra në listën e PS-së të cilat do i votonte si Ekonomin në Durrës, Denajn në Vlorë apo paraardhësen e saj Nikolla në Lezhë.