Kryetarja e LSI-së u është drejtuar me një videomesazh qytetarëve të vendit ku thekson së te dielën duhet të vendosin nëse duan të jetojnë në Shqipëri apo të shkojnë azilantë në Europë.
Bë mesazhin e saj Kryemadhi thotë gjithashtu se më 25 prill do vendoset mes një qeverie europiane e koalicioni për integrim e balancim pushteti apo një qeverie totalitare që është në dorën e një personi që ka marrë peng të gjitha pushtetet.
“Të dielën shqiptarët duhet të zgjedhin: Të jetojnë në Shqipëri apo të shkojnë dhe të punojnë në Europë, duke qenë azilantë, të kenë një qeveri europiane për integrim, apo një qeveri totalitare që na çon në modelet totalitare lindore. Të kemi një qeveri koalicioni me ndarje e balancim të pushteteve apo një qeveri që është në dorën e një personi, dhe merr peng të gjitha pushtetet. Pasuritë e Shqipërisë t’i gëzojnë të gjithë shqiptarët apo një grup i vogël oligarkësh. Të triumfojë vota e lirë e demokracia apo blerja e votës, autoritarizmi dhe fukset e patronazhizmit të Edi Ramës. Të kemi një qeveri që kujdeset për njerëzit apo një qeveri që kthehet në makth për njerëzit. Të kemi një qeveri që shpenzon paratë e shqiptarëve me garë dhe meritokraci apo një qeveri që i shpenzon për klientët e saj. Të kemi një shtet me institucione apo të kemi një parti-shtet.” – tha Kryemadhi.