Presidenti Meta u ka bërë 11 pyetje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë lidhur me përplasjen në Elbasan para dy ditësh ku u vra Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjerë, mes të cilëve edhe një oficere policie.
Kreu i shtetit deklaroi se as policia dhe as prokuroria nuk kanë dhënë ende një version zyrtar e shterrues për ngjarjen e rëndë.
Meta u bën thirrje institucioneve të lartpërmendura që të veprojnë menjëherë lidhur me ngjarjen e rëndë duke vënë përpara ligjit të gjithë përgjegjësit.
Reagimi i Metës
“Kam ndjekur me shumë vëmendje, veprimet dhe reagimin e organeve ligjzbatuese për hetimin e ngjarjes tragjike, që ndodhi dy ditë më parë në Elbasan dhe që meriton të zbardhet urgjentisht, objektivisht dhe jashtë ndikimeve politike.
Ende organi i Prokurorisë dhe strukturat e Policisë së Shtetit, nuk kanë dhënë një version të plotë zyrtar dhe shterrues.
Janë disa pyetje, që kërkojnë përgjigje publike dhe të plota nga institucionet ligjzbatuese:
- A janë të përfshirë në këtë ngjarje, persona me precedentë penalë? Nëse po, cilët janë emrat e tyre si autorë të dyshuar për shkaktimin e saj? Përse Policia e Shtetit, nuk ka kryer ndalimin dhe shoqërimin e tyre?
- A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje, të njëjtët që shoqëronin Kryeministrin më 14 mars, ‘Ditën e Verës’, dhe që ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës?
- A ka marrë organi i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, dëshminë e oficerëve të lartë dhe punonjësve të Policisë, që kanë qenë të pranishëm në ngjarje?
- Përse punonjësit e Policisë të pranishëm në ngjarje nuk kanë reaguar, për të neutralizuar përplasjen me armë dhe ndaluar të gjithë personat e përfshirë?
- Pse u lejua largimi i personave të përfshirë nga vendi i krimit kur Policia ishte njoftuar dhe ishte aty?
- A ka qenë i mbuluar ambienti publik apo ambientet private me kamera të sigurisë? Nëse po, a është bërë kqyrja dhe sekuestrimi i menjëhershëm i materialit filmik në cilësinë e provës?
- Sa kohë u është dashur organeve të zbatimit të ligjit të mbledhin këto materiale filmike?
- Nëse ka patur zvarritje, cilët janë përgjegjësit? Mos u është lënë kohë për të fshirë pamjet?
- Vonesa të tilla, a janë tregues i mosveprimit me dashje nga ana e strukturave të veçanta brenda Policisë së Shtetit, për t`i lënë kohë personave përgjegjës të zhdukin çdo provë që bën të mundur zbardhjen e dinamikës së vërtetë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në këtë konflikt tragjik?
- A është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në konflikt interesi, për kryerjen e këtyre hetimeve?
- A duhet Prokuroria e Posaçme (SPAK), të fillojë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?
Zoti Prokuror i Përgjithshëm, Zoti Drejtues i Prokurorisë SPAK, Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Në Republikën e Shqipërisë, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe duhet të japin llogari përpara tij!
Ndaj, me shumë përgjegjshmëri, ju kërkoj:
Të veproni menjëherë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në të!
Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor.
Çdo zvarritje, mosveprim, apo dëmtim i provave për këtë ngjarje, frymëzon më shumë elementët kriminalë në cenimin e procesit zgjedhor.
Vota e lirë dhe e ndershme dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 25 prillit nuk duhet të rrezikohet më tej nga këto fenomene!
Çdokush që ka shkelur ligjin, duhet të ndëshkohet tani!
Ju keni përgjegjësinë e plotë përpara popullit dhe ligjit për ta realizuar atë tani!”