Presidenti Meta u ka bërë thirrje qytetarëve të Shqipërisë që të votojnë me qytetari e kulturë demokratike të dielën e të shmangin çdo incident artificial apo provokim të qëllimshëm.
Ai shkruan se të gjithë i kanë sytë nga Shqipëria, vendi më problematik i rajonit e Europës për sa i përket standardeve të demokracisë e zgjedhjeve.
“Të dashur qytetarë, nëna, baballarë, motra, vëllezër dhe ju të reja dhe të rinj! Mbeten vetëm 48 orë, kur me votën tuaj ju do të përcaktoni vullnetin e Sovranit për drejtimin e vendit. Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve. Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit. Prandaj, në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.” – shkruan Meta në Facebook.
Më tej kreu i shtetit u drejtohet me një thirrje të posaçme forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit e administratës publike që të tregojnë integritet të ushtrojnë detyrën në përputhje me ligjin. Meta shton se zgjedhjet e 25 prillit nuk janë vetëm për katër vitet e ardhshme po për të ardhmen e vendit.
“Një thirrje të posaçme, u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën. E ritheksoj, që këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme! Sepse ato janë jo vetëm për 4 vite, por për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Prandaj, të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë. Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik. Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë! Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve! Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani.” – mbyll thirrjen e tij presidenti Meta.