Vendosni fjalën kyçe....

Reuters: Biden do njohë masakrën turke ndaj armenëve si gjenocid


Presidenti Joe Biden pritet të njohë zyrtarisht masakrimin e armenëve nga Perandoria Osmane gjatë Luftës I Botërore si akt gjenocidi, bënë të ditur burime me njohuri mbi vendimin. Ky akt pritet të revoltojë Turqinë dhe të acarojë më tej marrëdhëniet Uashington-Ankara.

Presidenti Biden zhvilloi një bisedë telefonike me udhëheqësin turk Recep Taip Erdogan të premten. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, presidenti amerikan e informoi homologun turk se kishte vendosur të njihte masakrat e vitit 1915 dhe deportimet me forcë të armenëve si gjenocid, thanë burime në dijeni të bisedës, në një bisedë me agjencinë e lajmeve.

Njohja e masakrës si gjenocid është një akt më së shumti simbolik që nënkupton braktisjen e një qëndrimi shumë të kalibruar që ka mbajtur prej dekadash Shtëpia e Bardhë. Ky hap ndërmerret ndërkohë që Ankaraja dhe Uashingtoni kanë pasur përplasje kohët e fundit për një numër temash.

Presidenti Biden ka të ngjarë ta përdorë fjalën “gjenocid” në një deklaratë që mund të publikohet të premten, më 24 prill kur në mbarë botën kujtohen viktimat armene, thanë tre burime me njohuri mbi këtë plan.

“Me sa kuptoj unë, ai e ka marrë këtë vendim dhe do të përdorë fjalën ‘gjenocid’ në deklaratën e tij të shtunën,” tha një burim në dijeni të kësaj çështjeje.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha në komentet për gazetarët se ka të ngjarë që Shtëpia e Bardhë të bëjë komente mbi këtë temë të shtunën, pa pranuar të flasë më tej.

Masakrat

Një vit më parë, gjatë fushatës për president, zoti Biden kujtoi me nderim 1.5 milionë armëenët, ndër ta burra, gra e fëmijë, të vrarë në vitet e fundit të Perandorisë Osmane, duke thënë se do të mbështeste përpjekjet për t’i njohur këto masakra si gjenocid.

Turqia e pranon se shumë armenë me banim në Perandorinë Osmane u vranë në luftime me forcat turke gjatë Luftës I Botërore, por jep shifra shumë më të ulëta dhe hedh poshtë interpretimet se vrasjet ishin pjesë e një fushatë të orkestruar si gjenocid.

Për dekada me radhë, përpjekjet për t’i njohur këto vrasje si gjenocid ngecën në Kongres dhe presidentë të njëpasnjëshëm amerikanë kanë nguruar të përdorin termin ‘gjenocid’ nga shqetësimi për dëmin tek marrëdhëniet me Turqinë dhe nën presionin e lobit turk.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *