Ish-ministri i Brendshëm dhe kandidati i PS-së në Tiranë Fatmir Xhafaj, ka komentuar ngjarjen në Elbasan ku humbi jetën Pjerin Xhuvani.
Ndërsa ishte i ftuar në “Report Tv”, ai u shpreh se ekzistenca e përpjekjeve për të krijuar struktura paralele dhe një shtet paralel është e dënueshme dhe haptas sipas tij në kundërshtim me kushtetutën.
Ai deklaruar se nëse do ishte vetë në vend të prokurorëve, do u jepte përgjegjësinë penale personave të përfshirë në ngjarje, por s’do linte pa përgjegjësi as ideatorët, duke përmendur liderin e opozitës Lulzim Basha si dhe drejtuesin politik të PD-së në Elbasan, Gazment Bardhin.
“Së pari aktualisht s’kemi president dhe kjo duhet pranuar është e tepërt të flasësh për rolin e presidentit por për rolin e Ilir Metës, që ndodhet në karrigen e presidentit por nuk po sillet si president republike në respektim të Kushtetutës dhe asaj që parashikon Kushtetuta në rolin e presidentit si kryetar shteti.
Përkundrazi, ai e ka deformuar këtë qasje të përgjegjësisë dhe është në tejkalim të të gjithë kufijve të përgjegjësisë së tij kushtetuese. Kështu që është e tepërt të flasim sot për një president republike. Ne nuk e kemi një të tillë për fat të keq.
Kurse për sa i përket opozitës më vjen ke. Ndihem realisht keq edhe për shkak të karrierës së gjatë që kanë në politike, por edhe si e shoh unë një qeverisje të mirë të shëndetshme, në një shtet të fortë demokratik. Nëse mungon një krah i rëndësishëm siç është opozita i bën një dëm të madh demokracisë.
Ne kemi një opozitë destruktive, një opozitë që për fat të keq s’ka mësuar gjë nga e djeshmja e saj dhe që ka ende një qasje të vjetër pavarësisht kostumeve të reja që po përpiqet të veshë.
Ngjarja në Elbasan është treguesi më kuptimplotë i kësaj mendësie që zotëron sot në lidershipin e opozitës, e posaçërisht të PD-së. Ekzistenca e përpjekjeve për të krijuar struktura paralele dhe një shtet paralel është e dënueshme dhe haptas në kundërshtim me Kushtetutën.
Dhe nëse unë do isha në vend të prokurorëve padyshim që do jepja përgjegjësinë penale personat, por s’do lija pa përgjegjësi edhe njerëzit që e kanë ideuar e konceptuar. Në mënyrë të veçantë me sa kam parë unë kryetarin e PD-së Lulzim Bashën dhe drejtuesin e caktuar prej tij në Elbasan, Gazmend Bardhin.”– tha ai.