Vendosni fjalën kyçe....

Meta: I kam dërguar Ardi Veliut emrat e faktet për krimet zgjedhore të Durrësit e Vlorës


Presidenti i vendit Ilir Meta u pyet nga gazetarët në konferencën për medie, lidhur me letrën që u kishte dërguar krerëve të PD-së dhe të LSI-së më 22 Prill, pra një ditë para përmbylljes së fushatës zgjedhore.

Meta tha se gjatë këtyre ditëve letra u kishte dërguar edhe Prokurorive, SPAK-ut e SHISH-it.

Ai thotë se i ka dërguar letër kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për Durrësit, dhe do i dërgojë edhe për Vlorën, ku i ka treguar me emra dhe fakte, personat po kryejnë krime zgjedhore. Ai ka paralajmëruar policinë, prokurorinë dhe komisionerët, t’i thërrasin mendjes dhe të tregohen të drejtë dhe të paanshëm gjatë procesit të votimit.

Gjatë fjalës së tij, Meta u bëri thirrje dhe simpatizantëve e votuesve të opozitës, të mos mbajnë asnjë lekë të vjetër në xhep kur të lëvizin gjatë ditës së nesërme, “se do t’i ndalojnë për blerje votash”.

 “Unë gjatë gjithë kohës dërgoj letra, qeverisë, policisë, SHISH, i kam dërguar 18 letra prokurorisë vetëm për këtë çështje dhe do vazhdoj t’i dërgoj. Do bëj dhe hetim mbi hetimet, kush i ka zvaritur, kërkon të marrë zvarrë fatin e shqiptarëve. Ndaj ju bëj thirrje të reflektojnë urgjentisht dhe të merret vendim për këto çështje. Duhet ta dinë të gjithë çunat problematikë, që do të përfundojnë në burg. Duhet ta dijë çdo punonjës i administartës që do të ketë ligj të posaçëm, që nuk do të përfshihen më në administratën shtetërore. Pavarësisht bindjeve do qëndrojnë aty. Nuk do ta ndërrojmë administratën sipas qejfit të partive.

Në këtë drejtim i kam dërguar një letër zyrtare Bashës dhe Kryemadhit, sepse ata kanë një përgjegjësi historike nesër, edhe sot, që të jenë tepër të kujdesshëm, të porosisin edhe të gjithë simpatizantët e tyre të jenë të tillë, në mënyrë që çdo provokim që do të kenë ata, të izolohet dhe jo të shndërrohet në konflikte të tjera. Sepse ne e shikojmë se kujt u intereson konflikti.

Të gjithë të ruajnë qetësinë, do jetë një ditë e mrekullueshme për Shqipërinë. Mjerë kush punon për krimin zgjedhor, mjerë! Kjo histori ka mbaruar. Asnjë ligj i Reformës në Drejtësi nuk do të preket, do të punohet me ligjet që ka bërë qeveria aktuale, sidomos ato për ministrinë e Brendshme dhe policinë e Shtetit e OFL-në, për 48 orë vendoset rendi, luftohet korrupsioni, pastrimi i parave dhe çunat problematikë shkojnë aty ku e kanë vendin.

Letra për ata është përgjegjësi e madhe, sepse kanë ikur nga Kuvendi i Shqipërisë, ua kam shkruar të zezë mbi të bardhë kundër këshillës së Presidentit, që i ka paralajmëruar me kohë për pasojat. Zgjedhje daneze të mos presin as ata, se nuk i kam pritur as unë, por të koordinohen për të shmangur çdo provokim, për të ruajtur çdo votë, edhe të kandidatëve socialistë, sepse pasi të mbarojë numërimi i votave për partitë, mund të bjerë përqendrimi dhe mund të fillojnë lojërat për të ndërruar votat për kandidatët.

Kam dërguar letër edhe për Durrësin, për drejtorin e Policisë së Shtetit, me të gjithë emrat që po kryejnë krime zgjedhore në Durrës, personat në kërkim që shkojnë e intimidojnë qytetarët atje. Dhe do vazhdoj, tani kam letër përsëri për drejtorin e policisë për Vlorën, me emra dhe fakte me çdo gjë.

U bëj thirrje simpatizantëve dhe votuesve të opozitës, të mos mbajnë asnjë lekë të vjetër në xhep se do t’i ndalojnë dhe do ti thonë ‘të gjetëm një lekë në xhep dhe donin të blinin vota’.

Këto janë gjëra të vogla, kemi parë gjëra të vështira. Përgjegjësia tani për çdo ngjarje që ndodh bie mbi prokurorinë, mbi policinë, mbi komisionerët, mbi numëruesit, të bëjnë detyrën, të qëndrojnë të paanshëm, dhe është përgjegjësi historike, t’i thërrasin mendjen, është provë zjarri. Ne nesër duhet të shkëlqejmë para gjithë botës.”– u shpreh Kreu i Shtetit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *