Presidenti Ilir Meta vijon deklaratat dhe thirrjet që autoritetet të zbatojnë ligjin dhe të dënojnë krimin zgjedhor.
Këtë herë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Presidenti Meta i ka bërë thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve që të zbatojnë ligjin dhe të qëndrojnë larg ndikimeve politike.
Meta kërkon që ata të përmbushin detyrën pa vonesa dhe të mos detyrojnë popullin t’i arrestojë në flagrancë.
“Kriminelët janë kudo të rrezikshëm.
Por më të rrezikshmit janë kriminelët e veshur me uniformë, janë ata që gjenden brenda sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.
Prandaj thirrini mendjes, zbatoni ligjin, qëndroni larg ndikimeve politike, mos u bëni palë dhe ruani integritetin e detyrës.
Përmbushni detyrën pa asnjë vonesë dhe mos e detyroni Popullin t’ju arrestojë në flagrancë përmes ligjit, që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar.
Presidenti i Republikës është gjithmonë me Kushtetutën dhe Sovranin.
Presidenti i Republikës është gjithmonë gati për të marrë përgjegjësinë për çdo Dekret në mbrojtje të Zgjedhjeve, Demokracisë dhe Popullit nga dhuna e oligarkisë!
Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë”-shkruan Presidenti.