Vendosni fjalën kyçe....

Plagosja e sekretarit të PD-së në Kavajë, gjykata lë në burg Ndriçim Jonuzin


Gjykata e Kavajës ka vendosur sot masën e sigurisë për personat që u përfshinë në plagosjen e sekretarit të zyrës së Partisë Demokratike në Kavajë, Bledar Okshtuni.

Gjykata ka lënë në burg, Ndriçim Jonuzin, personin që qëlloi me armë. Ndërsa janë lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dy bashkëpunëtorët e dyshuar të tij: Markel Shtylla dhe Dorian Troplini. 

Ndriçim Jonuzi (Tahiri), ishte një person me precedentë penal i dënuar në 2014 me 8 vite burg për vrasje me dashje.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:30 të 19 prillit në zyrat elektorale të PD-së në Kavajë.

Jonuzi dhe i plagosuri, të dy kanë mohuar që konflikti të ketë ndodhur për motive politike sikurse u aludua nga opozita, duke thënë se ishin zënë për parkimin e makinës.

Mes liderit të PD-së Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama nisi një përplasje në distancë mbi bindjet politike të të dyshuarit, që sipas të parit mbështeste PS-në dhe të dytit se ishte militant i PD-së.

Jonuzi nga arratia nxori një video, ku shprehej se ndihej i fyer nga Basha që e quante mbështetës të PS-së, duke i hedhur poshtë sakrificat e tij të bëra ndër vite për partinë. Ndërsa më vonë PD nxori një foto të Jonuzit dhe dy personave të tjerë të përfshirë në konflikt, që shiheshin në një tavolinë me kryebashkiakun socialist të Kavajës, Redian Krali.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *