Zyrtarët në Afganistan më 24 prill raportuan për një valë të sulmeve, ku u vranë të paktën 22 persona. Sulmet ndodhën në pesë provinca të këtij vendi, teksa dhuna po vazhdon të pengojë përpjekjet për arritjen e paqes në Afganistan.
Bombardimet e kryera nga militantët talibanë janë rritur që prej se presidenti amerikan, Joe Biden, më herët gjatë këtij muaji, njoftoi se do të ketë vonesa në tërheqjen e trupave amerikan nga Afganistani. Afati për tërheqjen e trupave, që fillimisht ishte për 1 maj, tani është deri më 11 shtator.
Sipas zyrtarëve, tri sulme ndodhën në kryeqytetin afgan, Kabul më 23 dhe 24 prill, përfshirë edhe një sulm, ku një sulmues i armatosur vrau katër policë, një procesor universitar dhe një punëtor qeveritar.
Në provincën juglindore, Ghazani, të paktën katër civilë u vranë nga një bombë që ishte vendosur përgjatë një rruge, tha policia.
Zyrtarët lokalë kanë fajësuar militantët talibanë për sulmin, por ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë.
Po ashtu, tre ushtarë afganë u vranë nga shpërthimi i një bombe në provincën Logar dhe dy policë dhe një civil vdiqën nga një shpërthim në Xhalalabad, raporton REL.
Shtatë forca pro-qeveritare u vranë gjatë një sulmi në provincën Talhrah, thanë zyrtarët qeveritarë.
Liderët talibanë, pas njoftimit të Bidenit për tërheqjen e trupave, refuzuan që të marrin pjesë në konferencën e paqes, që do të mbahet gjatë këtij muaji në Turqi. Talibanët po ashtu kanë paralajmëruar se do të rrisin sulmet.
Bisedimet ndër-afgane, ndërmjet Kabulit dhe përfaqësuesve të talibanëve, që mbahen në Doha të Katarit, kanë ngecur që prej shtatorit të vitit të kaluar.