Një 30-vjeçar në Tiranë është arrestuar pasi ka fotografuar votën e tij. Sipas policisë, incidenti ka ndodhur rreth orës 10:10, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Andon Zako Çajupi”.
Për këtë shkak, është bllokuar përkohësisht procesi i votimit.
Të riut me inicialet G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe është shoqëruar në Komisariat.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 25.04.2021, rreth orës 10:10, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.
Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.
Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi G. S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë.
Pasi ka kryer veprimet, ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit.
Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga sherbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore.
Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.