Presidenti Ilir Meta vetëm disa minuta përpara mbylljes së votimit ndodhej në Vlorë ku dhe dha mesazhin e fundit duke i bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë edhe këto minuta për të shkuar në kutitë e votimit.
Presidenti tha se qytetarët duhet të votojnë masivisht për integrimin e Shqipërisë në BE, por edhe për të kthyer legjitimitetin në vend.
“Kam një mesazh për gjithë qytetarët e Shqipërisë. Pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje. Tregoni se e keni kuptuar fuqinë e votës suaj. Të ndërtojmë një të ardhme të sigurt në Vlorë. Është e domosdoshme që kjo ecuri e mrekullueshme e ditës së sotme të vazhdojë kështu, deri sa të mbyllet procesi i votimit. I ftoj të gjithë qytetarët që të kryejnë një detyrim dhe të mos harrojnë se për votën e lirë, sa shumë njerëz janë martirizuar. Kjo është një domosdoshmëri për të ardhmen e Vlorës, të Shqipërisë, të fëmijëve tanë këtu në Vlorë, në Shqipëri. Besoj që pjesëmarrja shumë e lartë në të gjithë vendin, do të vijojë. Vlora ka të gjitha mundësitë të vazhdojë të japë kontributin e saj, si alternativa më e mirë për të ardhmen.
Të nisim një epokë të re në Shqipëri, atë të shenjtërimit të votës, të barazisë së saj dhe të kuptimit se sa e rëndësishme është vota. Nuk mundet kurrë një qytetar nesër të kërkojë llogari, nëse nuk voton. E drejta fillon te vota dhe kjo është e domosdoshme, ndaj të gjithë duhet ta ushtrojnë këtë. Vlora ka qenë, është dhe do të jetë edhe më shumë pas kësaj dite, Vlora me të cilën krenohen të gjithë shqiptarët, sepse duhet të jetë Vlora, e cila në një moment historik do të thotë fjalën e saj. Unë kam shumë besim te Vlora. Ky është sheshi i gjithë shqiptarëve, jo vetëm i Vlorës, ndaj e zgjodha për të dhënë mesazhin e fundit për pjesëmarrjen. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, dhe unë jam më shumë optimist, aq më shumë do të shtohen shanset për të çelur shumë shpejt negociatat për integrimin. Prokuroria e Policia të hetojnë çdo krim, që ka ndodhur deri ditën e djeshme”- tha Meta.