Vendosni fjalën kyçe....

Probleme me pajisjen e identifikimit biometrik në disa qarqe


Procesi i votimit ka hasur në problematika lidhur me pajisjen elektronike, duke shkaktuar vonesa në disa qarqe në vend.

Probleme të tilla ka patur në Gjirokastër, në Fier, në Vlorë, në Sarandë, në Shkodër, në Has…

Në shkollën “Jani Minga” në Vlorë ka pasur vonesë për fillimin e procesit të votimit. Shkak për këtë situatë është bërë vendosja në punë e pajisjes së identifikimit biometrik dhe të vonesës nga ana e operatorëve. Ndërkohë qendra e votimit 3030/1 në qendër të qytetit të Fierit nuk nisur votimin, pasi nuk funksionojnë aparaturat.

Në qendrën e votimit KZAZ 57, Shkolla Petro Sota, në Sarandë janë hasur probleme me pajisjen që bën identifikimin elektronik. Pajisja identifikon kartën e identitetit, por nuk punon versioni i identifikimit të gishtit.

Kështu, në qytetin e Lushnjës ka vonesa në 13 qendra votimi në KZAZ 55. Bëhet me dije se votimi nuk ka nisur për shkak të problemeve me aparaturën e verifikimit të kartave të identitetit. Mësohet se në dy vendvotime në qytetin e Gjirokastrës ka probleme me pajisjet që bëjnë leximin e dokumenteve të identifikimit.

Kryetari i një KZAZ-je në Berat informon se ka filluar procesi i votimit në të 74 qendrat e votimit, ndërkohë që në disa qendra ka probleme me pajisjet.

Një situatë e tillë është paraqitur edhe në Fushë-Krujë, ku komisionerët nuk kanë eksperiencë me pajisjen e identifikimit biometrik ose pajisja nuk ka qenë funksionale.

Në qendrën e votimit 3270, në ZAZ 65 në Shkodër nuk funksionon pajisja biometrike. Kjo problematikë është paraqitur edhe në disa qendra votimi në Fushë Arrëz.

Probleme me pajisjen e identifikimit biometrik janë hasur edhe në një Qendër Votimi në Has.

Identifikimi biometrik në të gjitha qendrat e votimit përdoret për herë të parë në një proces zgjedhor në vend. Pavarësisht këtij problemi ka vijuar procesi me regjistrimin manual të votuesve.

Në udhëzimet e KQZ thuhet se në rastin e hasjes së problemeve me pajisjen e identifikimit biometrik të votuesve, atëherë pajisja zëvendësohet.

Në rastet kur një gjë e tillë do të vonohet, atëherë procesi i votimit mund të nisë edhe manualisht.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *