Kryeministri Edi Rama ka dalë për herë të parë ditën e sotme në një reagim mbi procesin e votimeve.
Rama tha se populli ka folur dhe votat janë në kuti duke bërë thirrje për numëruesit që të kontribuojnë për të numëruar në mënyrë korrekte votat.
Më tej Rama kishte edhe një falënderim për patronazhistët e PS-së.
“Dua t’iu them të gjithëve, në radhë të parë socialistëve, se votat janë në kuti që të gjitha. Populli ka folur, tani duhet të dëgjojmë popullin dhe detyra jonë, e cdo numëruesi dhe cdo vëzhguesi, në cdo qendër numërimi, është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe ligjore të kontribuojë për të numëruar në mënyrë korrekte votat, që janë në kuti. Hamendjet, sondazhet, exit-pollet, pavarësisht faktit që ne na japin forcë qeverisëse, përsëri i përkasin thjesht dhe vetëm parashikimeve para ndeshjes.
Tani është rezultati i të gjitha kutive të votimit, që është rezultati i ndeshjes. Kështu që ju lutem shumë të gjithëve përqendrohuni në detyrën tuaj dhe, dua ta përsëris atë që tha Bora edhe në emrin tim, një falënderim nga zemra për të gjithë patronazhistët tanë, në të gjithë territorin, që kanë bërë një punë mbresëlënëse. Ata janë që e dinë më mirë se gjithë tjerët kush ka votuar dhe kush s’ka votuar. Duke qenë se në zonat e tyre ata janë të bindur për rezultatin e punës, unë dua të siguroj që të bindur janë edhe gjithë të tjerët në të gjitha zonat”-tha Rama.