Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja në Elbasan, Arbër Paplekaj: Jam i tronditur nga humbja e jetës së një njeriu, nuk di në ç’gjendje kam familjen e 4 fëmijët


Sot jepet masa e sigurisë për Arbër Paplekajn, ish-efektivi i policisë i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. 

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për të gjithë të akuzuarit për përplasjen me armë të ndodhur më 21 Prill në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve.

Prokuroria deklaruar se mbi Paplekajn rëndon akuza e vjedhjes me armë, pasi pas konfliktit në Elbasan, nën kërcënimin e armës i ka marrë makinën një qytetari dhe ka udhëtuar me të drejt Tiranës, ku është vetëdorëzuar në repartin RENEA.

Në dëshminë e tij, Paplekaj shprehet i tronditur për humbjen e jetës së Pjerin Xhuvanit. Ai thotë se nuk mundet të japë shpjegime për shkak të tronditjes së madhe dhe për shkak se nuk ka dijeni mbi gjendjen e familjes dhe katër fëmijëve të tij në veçanti.

 “Duke qenë se jam tepër i tronditur nga ngjarja e ndodhur për shkak të humbjes së jetës së një personi dhe se nuk kisha menduar ndonjëherë se do të gjendesha në një situatë dhe rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve pavarësisht rrethanave ekstreme në të cilat jam ndodhur për të reaguar në mbrojtje të vetes dhe personave me të cilët isha nuk ndryshon dhimbjen dhe tronditjen që kam.

Po kështu duke qenë në kushtet e ndalimit dhe nuk kam dijeni se në ç’rrethana ndodhet familja ime dhe katër fëmijët që unë kam për këto arsye unë nuk jam i qetë për të dhënë shpjegime në këto momente.

Unë nuk do të jap shpjegime, por kam kërkuar ditën e ndalimit këqyrjen dhe ekzaminimin mjeko-ligjor të një plage të dukshme të cilën e kam në dy gishtat e fundit të dorës së djathtë. Ky fakt është i pasqyruar dhe në regjistrin e mjekut të dhomave të paraburgimit i cili ma ka parë këtë dëmtim dhe e ka regjistruar, por unë nuk e kam lënë të ma mjekojë për shkak se nuk ishte bërë këqyrja dhe ekzaminimi mjeko-ligjor. Kërkoj aktualisht që të kryhet dhe ekzaminimi mjeko-ligjor.”- ka deklaruar Paplekaj, sipas Balkanweb.

Prokuroria ka kërkuar burg për të gjithë të akuzuarit përfshirë dhe Arjan Hoxhën dhe ish specialët e RENEA-s apo ish-policët:

  1. Arbër Paplekaj, për tre akuza: vrasje, vrasje e mbetur në tentativë e punonjësve të policisë dhe heqje e lirisë me dhunë;
  2. Arjan Hoxha, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  3. Pavlo Vuksani, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  4. Emiljan Prenga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  5. Juljan Mataj, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  6. Erald Guga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  7. Erjon Demushi, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  8. Taulant Ymeri, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  9. Roland Xhepa, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  10. Nuredin Kasma, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
  11. Eldjo Beko, arrestuar “në flagrancë”, akuzuar për pengim të hetimeve;

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *