Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit.
Nishani shkruan se përgjegjësi kryesor është lideri i PD-së, Lulzim Basha.
Ish-presidenti kërkon largimin e kryetarit aktual të PD-së dhe ai po mban peng këtë parti për interes të pushtetit personal.
Postimi i plotë:
Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.
Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !
Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.
Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.
Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !
Z.Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !
Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.
Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.
Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !