Vendosni fjalën kyçe....

Tre kandidatët e Vetëvendosjes tërheqin vëzhguesit, japin 10 arsye : Deformim masiv i votës


Tre kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet  25 prillit kanë tërhequr mëngjesin e sotëm të gjithë vëzhguesit e tyre të certifikuar nga procesi i monitorimit të votave në tre qarqet ku kanë garuar.

Boiken Abazi në Tiranë, Iliaz Shehu në Lezhë dhe Kreshnik Merxhani në Gjirokastër kanë theksuar në një deklaratë zyrtare se shkak për këtë janë vërë shkeljet ligjore të përsëritura dhe deformimi i votës së tyre.

Ata kanë cekur një sërë arsyesh mbi vendimin e marrë. Ditën e djeshme, Abazi denoncoi me video e foto veprimet e komisionerëve në disa qendra duke pretenduar se votat e tij po bëheshin të pavlefshme.

Deklarata

Vëzhgim i vjedhjes e i deformimit të votës

Boiken Abazi në Qarkun Tiranë, Iliaz Shehu në Qarkun e Lezhës dhe Kreshnik Merxhani në Qarkun e Gjirokastrës, tre kandidatët e pavarur të mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, kanë tërhequr sot në orët e para të mëngjesit të gjithë vëzhguesit e tyre të certifikuar nga procesi i monitorimit të numërimit të votave në tre qarqet ku ata garojnë.

Ky vendim ka ardhur pas shkeljeve ligjore të përsëritura nëpër qendrat e numërimit. Këto shkelje kanë përfshirë:

-Vendime për të mos lejuar vëzhguesit e tre kandidatëve të pavarur të hynë në disa prej  qendrave të numërimit, veçanërisht gjatë procesit të hapjes së kutive.

-Presioni dhe kërcënimet drejtuar vëzhguesve për të mos dokumentuar me fotografi dhe video krimin elektoral që ka ndodhur brenda qendrave të numërimit.

-Pengesat direkte edhe të kandidatëve për të hyrë në disa prej qendrave të numërimit, si në rastin e Shkollës “Bajram Curri” në Tiranë.

-Mosreagimin dhe moskokëçarjen prej komisioneve të numërimit të votave, ndaj kërkesave legjitime të vëzhguesve të tre kandidatëve të pavarur.

-Eliminimi nga procesverbali i raportimit të votave në “Shkollën e Kuqe” në Tiranë për kandidatin Boiken Abazi në datën 26 prill 2021.

-Dhuna e pajustifikuar që shpërtheu brenda dhe jashtë shkollës “1 Maji” në Tiranë nga komisionerët si dhe nga forcat e policisë, duke i shtuar brutalitet atmosferës kërcënuese, e duke rrënuar procesin zgjedhor.

-Përsëritja e fenomenit të vjedhjes dhe/ose shpalljes së votës si të pavlefshme nga ana e komisionerëve përmes vendosjes së një “X” të dytë në shumë fletëvotime ku ka patur votim të kandidatëve të pavarur. Kjo gjë është dokumentuar gjerësisht në raportet me shkrim që kemi nga vëzhguesit tanë, por edhe në fotografi, madje edhe në një video të ardhur nga Qarku Gjirokastër.

-Në tavolinat e numëruesve ka patur vazhdimisht stilolapsë të të njëjtës ngjyrë me atë që është përdorur në qendrat e votimeve për të votuar. Kemi raportime nga vëzhguesit për raste kur komisionerët kanë shënuar në fletët e votimit demonstrativisht me ata stilolapsë, dhe kur vëzhguesit janë përpjekur të bëjnë fotografi apo video, komisionerët u kanë kërkuar forcave të rendit të nxjerrin jashtë ambienteve të qendrave të numërimit vëzhguesit.

-Në disa Qendra Numërimi ka patur kuti me më pak fletëvotime se sa votues të regjistruar, sic ka ndodhur edhe e anasjellta, ku ka patur më shumë fletëvotime se sa votues të regjistruar.

-Keqpërdorimi i Policisë së Shtetit duke e vendosur në shërbim të zbatimit të urdhrave të jashtëligjshëm që janë dhënë në disa raste prej disa prej kryetarëve të qendrave të numërimit.

Ekipi ligjor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është duke grumbulluar të gjitha provat dhe dëshmitë me shkrim, fotografi dhe pamje filmike për të dorëzuar ankesat tona pranë organeve përkatëse të KQZ-së dhe organeve të drejtësisë.

Ky nuk ka qenë proces numërimi votash. Ky ka qenë një proces i deformimit masiv e të mirëorkestruar të votës, në funksion të pushtetit dhe të subjekteve që blenë vota. 

Tiranë, 27 prill 2021


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *