Ambasadorja amerikane në Tiranë ka përgëzuar kryeministrin Rama dhe PSë për fitoren e tyre në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një postim në Twitter, Kim uron edhe kreun e PD-së Basha për fushatën e fortë që bëri.
Ajo bën thirrje për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe për bashkëpunim mes drejtuesve të partive politike për të mirën e vendit.
Po kështu ambasadorja shton se raporti paraprak iu OSBE-ODIHR duhet përdorur për të përmirësuar zgjedhjet e ardhshme.
“Përgëzojmë kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë dhe kryetarin e PD, Lulzim Basha, për udhëheqjen e një fushate të fortë, që i dha zë shumëkujt dhe frymëzoi shpresë. Më e rëndësishmja, ne përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë.
Duke njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Raporti paraprak i OSBE/ODIHR duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”, shkruan ambasadorja amerikane.