Gjykata e Tiranës ka caktouar sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 32-vjeçarin Arben Mema, i cili ditën e zgjedhjeve theu barrierat mbrojtëse në sheshin “Skënderbej” duke hyrë mespërmes dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Kështu Mema do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Arben Mema dyshohej se ishte i droguar në momentin kur u fut me makinë në shesh, pasi edhe në njoftimin e Policisë thuhet se me vete i janë gjetur disa doza kanabisi.
“Nga verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar dhe dyshohet se drejtuesi i mjetit është nën efektin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, këtij shtetasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kanabis.”– thuhet në njoftimin e Policisë.
Ai u ndalua nga një 22-vjeçar që me një lëvizje të papritur e neutralizoi atë, duke iu futur nga xhami i makinës me të dyja këmbët. Më pas Mema u arrestua nga policia.